Aktiviteti i Festës së Fenerëve në qytetin Yuncheng të provincës Shanxi të Kinës Veriperëndimore (foto nga CFP)
Sezoni festiv në Kinë është drejt përfundimit, por jo pa një mbyllje të shkëlqyeshme. Festa e Fenerëve, që quhet Yuanxiaojie në gjuhën kineze, u jep fund kremtimeve të Vitit të Ri Kinez. Ajo bie në ditën e 15-të të muajit të parë të kalendarit hënor kinez. Sivjet kjo festë kremtohet më 26 shkurt.
Me një histori mbi 2-mijëvjeçare, Festa e Fenerëve është një festë tradicionale popullore dhe një rast i rëndësishëm për bashkimin familjar. Në këtë ditë anëtarët e familjes mblidhen, duke ngrënë ushqime të shijshme dhe duke shikuar bashkërisht shfaqjet artistike popullore të festës. Në vitin 2008 Festa e Fenerëve u përfshi në Listën e Trashëgimive Kulturore Jomateriale Kombëtare.
Po cilat janë mënyrat tradicionale të kremtimit të kësaj feste.
Fenerët në Parkun Yuyuan të qytetit Shangai (foto nga CFP)
Varja e fenerëve
Në Festën e Fenerëve sigurisht nuk mund të mungojnë fenerët. Ritualet dhe zakonet janë të ndryshme në krahinat e ndryshme të Kinës, por feneri luan gjithmonë rolin kryesor. Me këtë rast zhvillohen zakonisht shfaqjet e fenerëve, me demonstrimin e dritave dhe arteve të shkëlqyeshme.
Fenerët prej letre përfaqësojnë shpresat për një të ardhme të bukur. Ferenët janë zakonisht të kuq, një ngjyrë me fat në kulturën kineze. Në kohën e lashtë, fenerët ishin mjaft të thjeshtë, por sot me teknologjitë e reja dhe elektricitetin, fenerët kanë forma dhe përmasa të ndryshme, si me hieroglife fatmira dhe kafshë mitike.
Fenerët simbolizojnë që njerëzit i lënë lamtumirën vetvetes së kaluar dhe marrin një vetvete të re në vitin e ri.
Si kryeqytet i 13 dinastive, qyteti Xian në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore ka integruar mirë historinë e tij me shfaqjet e fenerëve. Nëse jeni dashamirës i kulturës së fenerëve tradicionalë kinezë, parku “Parajsa Tang” në Xian duhet vizituar patjetër.
Aktiviteti i zgjidhjes së gjëegjëzave në qytetin Zhumadian të provincës Henan të Kinës Qendrore, 19 shkurt 2019.
Zgjidhja e gjëegjëzave
Loja me gjëegjëza është tjetër zakon i pamungueshëm gjatë Festës së Fenerëve. Gjëzat ngjiten zakonisht në fenerët, duke i sfiduar kureshtarët të testojnë njohuritë e tyre. Gjëegjëzat frymëzohen nga idiomat, letërsia, folklori etj.
Kjo traditë buroi gjatë dinastisë Song (960-1279), kur shkollarët testonin njohuritë e njerëzve duke përdorur rripa letre. Pronarët e fenerëve i shkruanin gjëzat në një copë letre dhe i ngjitnin në fenerë. Ata që mund të zgjidhnin gjëzat mund të fitonin një çmim të vogël nga pronarët e fenerëve.
Sot kjo vazhdon të jetë një mënyrë interesante e kontakteve sociale dhe e stimulimit të trurit.
Vallja e dragoit të zjarrtë në distriktin Tongliang (foto nga CFP)
Shikimi i "Valles së dragoit"
Në kulturën kineze, dragoi është simboli i fatmirësisë, fuqisë dhe fisnikërisë. "Vallja e dragoit" u popullarizua gjatë dinastisë Song (960-1276) si një aktivitet kremtues dhe ceremoni lutjeje për shi. Sot ajo është një pjesë përbërëse e shumë kremtimeve gjatë Festës së Fenerëve.
Vallëzuesit përdorin shkopinj për të ngritur lart figurën e dragoit dhe simulojnë lëvizjet e tij gjarpëruese. Sa më i gjatë dragoi në valle, aq më shumë fat do t’u sjellë njerëzve.
Duhet të shikoni patjetër "Vallen e dragoit të zjarrtë" në distriktin Tongliang, në qytetin e varur drejtpërdrejt nga qendra Chongqing të Kinës Jugperëndimore, që është vendlindja e valles së dragoit në Kinë. Qysh nga dinastia Ming (1368-1644), ky rajon ka qenë i njohur për paradat e "Valles së dragoit" dhe dritat e fenerëve të bukur gjatë festave kryesore kineze.
"Vallja e dragoit të zjarrtë e Tongliang-ut" klasifikohet si një nga dhjetë simbolet kulturore të qytetit Chongqing. Gjatë shfaqjes, vallëzuesit interpretojnë me "dragonj të zjarrtë" që shkëlqejnë si fishekzjarrë, duke krijuar një skenë spektakolare.
Vallja e Luanit e Kinës (foto nga CFP)
Shikimi i "Valles së luanit"
Statujat e luanit shihen shpesh si rojtarë përpara ndërtesave në Kinë. Por gjatë Festës së Fenerëve, luanët bëhen të gjallë duke gjëmuar.
"Vallja e luanit" ka të bëjë me atmosferën festive dhe urimet e mira në Vitin e Ri Kinez. Ajo ka lindur në Peirudhën e Tre Mbretërive (220-280).
Kjo valle kërkon dy vallëzues të trajnuar shumë mirë të veshur me "kostum luani". Një prej tyre vepron si koka dhe këmbët e përparme të luanit, ndërsa tjetri si kurrizi dhe këmbët e prapme. Vallja mendohet se mund të mbrojë njerëzit nga fatkeqësia dhe u sjellë atyre fat të mirë.
Aktiviteti i ecjes me këmbalka në provincën Anhui të Kinës Lindore (foto nga CFP)
Ecja me këmbalka
Asnjë paradë e Festës së Fenerëve nuk është e plotë pa ecjen e akrobatëve në këmbalka. Ata vishen zakonisht me kostume shumëngjyrëshe dhe mahnitin spektatorët me shfaqjet e tyre.
Këmbalkat përdoreshin nga fermerët për vjeljen e frutave në lashtësi dhe më vonë ecja me këmbalka u shndërrua në një aktivitet kulturor dhe është shumë e përhapur veçanërisht në pjesën veriore të Kinës gjatë Festës së Fenerëve.
Sivjet, në një pjesë të krahinave kineze aktivitetet popullore të Festës së Fenerëve zhvillohen nëpërmjet internetit, si një nga masat për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë COVID-19. Megjithatë, kinezët nuk ndalojnë kremtimin brenda mundësive. (Wang Lei)