Foto nga VCG

Foto nga VCG

Dy vaksina të tjera Covid-19 janë duke u rishikuar nga Rregullatori i lartë i Barnave në Kinë për të marrë miratimin me kusht, njoftuan prodhuesit e ilaçeve të mërkurën, bën të ditur “China Daily”.

“CanSino Biologics”, një kompani me qendër në bashkinë Tianjin, njoftoi se kishte bërë kërkesë për autorizim me kusht në Administratën Kombëtare të Produkteve Mjekësore të dielën për vaksinën e saj, të zhvilluar së bashku me një ekip kërkimor nën Akademinë e Shkencave Ushtarake.

Me një injeksion të vetëm, vaksina ka një normë efikasiteti prej 65.28 për qind në parandalimin e të gjitha rasteve simptomatike dhe një normë prej 90.07 për qind në parandalimin e infeksioneve të rënda 28 ditë pas inokulimit, thuhet në një deklaratë të kompanisë.

Sipas deklaratës, të dhënat bazohen në rezultate të ndërmjetme nga provat klinike të Fazës-3 që regjistrojnë më shumë se 4000 pjesëmarrës në Pakistan, Meksikë, Rusi, Kili dhe Argjentinë.

Në të njëjtën ditë, Instituti i Produkteve Biologjike Wuhan, administruar nga “Sinopharm”, i zotëruar nga shteti, njoftoi se ai gjithashtu aplikoi të dielën.

Rezultatet e ndërmjetme nga provat e fazave të vona tregojnë se vaksina e inaktivuar me dy doza ka një normë të përgjithshme të efikasitetit prej 72.51 për qind, sipas kompanisë.

Kina deri tani ka dhënë miratimin me kusht për dy vaksina, njëra e prodhuar nga Instituti i Produkteve Biologjike të Pekinit të “Sinopharm” dhe tjetra nga “Sinovac Biotech” me bazë në Pekin. (Elona)