Dimri në fshatin Zhagana në prefekturën autonome Gannan të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore. /CFP

Guo Yuchao, një programues 33-vjeçar, shijoi për herë të parë kulturën e veçantë tibetiane të Losar-it, Vitit të Ri Tibetian.

Sivjet Losar-i përkoi me Festën e Pranverës, ose Vitin e Ri Kinez, që ra më 12 shkurt. Në prefekturën autonome Gannan të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore, tibetianët vendorë e kremtojnë festën me rituale fetare, gara kuajsh, bashkim familjar dhe gosti.

"Nuk kisha parë kurrë festimet e Vitit të Ri Tibetian dhe tani kam mundësi të shijoj kulturën e veçantë," tha Guo, që ka punuar në qytetin Hezuo të kësaj prefekture për tre vjet. Shumë nga miqtë e tij janë tibetianë.

Me ftesën e tyre, Guo shkoi në kontenë Xiahe, fqinje me Hezuo-n, duke "u zhytur" në festimet tradicionale të Vitit të Ri Tibetian.

Murgj tibetianë duke kryer rituale fetare në prefekturën autonome Gannan në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore. /CFP

Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 40 mijë turistë e vizituan Gannan-in gjatë pushimeve të Festës së Pranverës këtë vit, të cilët i sollën prefekturës të ardhura prej afro 3.26 milionë dollarësh amerikanë.

E tërë provinca Gansu priti 7.12 milionë vizitorë gjatë pushimeve njëjavore të Festës së Pranverës, duke realizuar të ardhura prej afro 700 milionë dollarësh amerikanë, 60 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Gara tibetiane e kuajve në prefekturën autonome Gannan të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore. /CFP

Rinkho, pronari i një hoteli familjar, tha se vitet e kaluara biznesi ulej në dimër. "Këtë vit turistët po vijnë, me gjithë motin e ftohtë, dhe të tëra dhomat tona janë të rezervuara," tha ai.

Gannan-i ka zbatuar një sërë politikash të favorshme, duke përfshirë hyrjen falas në një pjesë pikash turistike, që të tërheqë më shumë turistë në dimër.

"Njerëzit shpresojnë të çlodhen gjatë Festës së Pranverës dhe ta presin Vitin e Ri Kinez me optimizëm dhe nga një pikënisje e re," tha Ma Wentao, kreu i Drejtorisë së Kulturës e Turizmit të prefekturës Gannan.

Panorama në malet Zhagana të Gannan-it / CFP

Turizmi ka nxitur shumë përmirësimin e jetesës së tibetianëve në Gannan. Vitin e kaluar, prefektura priti 16.71 milionë turistë, me të ardhura prej afro 1.3 miliardë dollarësh amerikanë, një rritje përkatësisht 16 dhe 12 për qind në krahasim me vitin 2019. (Wang Lei)