Që kur Pekini fitoi në vitin 2015 të drejtën për të organizuar Lojërat Olimpike Dimërore 2022, Kina ka nxitur pjesëmarrjen më të madhe në sportet dimërore dhe e ka bërë zhvillimin e industrisë së akullit dhe dëborës një përparësi. Skitë dhe sportet e tjera dimërore që nga ajo kohë janë bërë një argëtim i parapëlqyer për kinezët.

Në vetëm disa vjet, Kina u bë tregu i skive me rritjen më të shpejtë në botë, me një numër gjithnjë në rritje të vazhdueshme të pistave të skive dhe turizmit të skive.

Distrikti Chongli i qytetit Zhangjiakou të provincës Hebei të Kinës Veriore, është zona më e madhe e skive e nivelit të lartë në Kinë dhe në të do të zhvillohen shumica e garave të skive të Olimpiadës Dimërore të Pekinit të vitit 2022. Në vitin 2015, ai kishte katër vende për ski, kurse tani ka shtatë të tilla me pista skish me gjatësi 162 km.

Në dimrin e kaluar, 150 milionë veta në mbarë Kinën morën pjesë në të ashtuquajturat sporte të akullit dhe dëborës, gjysma e objektivit të propozuar në kandidaturën e Pekinit për Lojërat Olimpike Dimërore, që ishte pjesëmarrja e 300 milionë vetave në sportet dimërore, ose një e pesta e kinezëve. Deri në vitin 2025, numri i turistëve të "akullit dhe dëborës" në Kinë parashikohet t'i tejkalojë 500 milionët dhe të ardhurat e këtij sektori pritet të shkojnë mbi 170 miliardë dollarë.

Pandemia e COVID-19 pati ndikim mbi rezervimet, por këtë dimër ato pritet të mëkëmben përsëri.

Më shumë se gjysma e të gjithë turistëve të "akullit dhe dëborës" ishin të moshës 20-40 vjeçare, duke i bërë ata një forcë kryesore lëvizëse në këtë sektor.

“Kalimi i kohës së lirë” ishte arsyeja kryesore që njerëzit marrin pjesë në sportet e akullit dhe dëborës, e ndjekur nga “shëndeti” dhe “qetësimi”. Interesante është se më pak njerëz thanë se merreshin me këto sporte sepse ishin “të modës” ose se miqtë e tyre po e bënin një gjë të tillë. Kjo dëshmon se sportet dimërore po shndërrohen nga burim kureshtjeje në një pasion të përditshëm. (Fang Xiaoyu/Artan)