Kina ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj të ashtuquajturës Deklaratë Kundër Ndalimit Arbitrar të lëshuar nga Kanadaja dhe disa vende të tjera më 15 shkurt dhe paraqiti përfaqësime serioze ndaj palës kanadeze, tha të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hua Chunying.

"Nëse Kanadaja e kundërshton vërtetë "ndalimin arbitrar", ajo duhet të veprojë sipas fjalëve të saj dhe ta lirojë menjëherë Meng Wanzhou-n si dhe ta lejojë atë të kthehet në Kinë shëndoshë e mirë," tha Hua në një konferencë të përditshme për shtyp.

"Deklarata e ashtuquajtur është më shumë si një rrëfim i Kanadasë që pranon gabimet e saj në çështjen Meng Wanzhou-t", tha Hua, duke shtuar se Kanadaja e portretizoi veten si mbështetëse e shtetit të së drejtës ndërkohë që vepron si bashkëpunëtore e Shteteve të Bashkuara në arrestimin arbitrar të shtetasve kinezë, gjë që është "e neveritshme dhe hipokrizi".

Ambasada kineze në Kanada shprehu gjithashtu të martën pakënaqësi dhe kundërshtim të fortë ndaj Kanadasë që lëshon të ashtuquajturën deklaratë me vendet e tjera, duke e quajtur lëvizjen keqdashëse dhe një shtrembërim të fakteve.

Dy shtetas kanadezë, Michael Kovrig dhe Michael Spavor, u arrestuan dhe u ndoqën penalisht nga autoritetet kineze në përputhje me ligjin për krime të dyshuara që minojnë sigurinë kombëtare të Kinës, theksoi zëdhënësi i ambasadës. (Albana)