Një ndër ekspertët më të njohur kinezë për vaksinat foli për rrjetin televiziv kinez CGTN lidhur me rezultatin e vaksinave të "Sinovac"-it në Brazil, pasi ka pasur raporte se përqindja e efektshmërisë së tyre është pak mbi 50 %.

Shao Yiming, anëtar i Komitetit Këshillimor të Krijimit të Vaksinave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe kryeeksperti i Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve të Kinës, vuri në dukje se vullnetarët në provat e "Sinovac"-it në Brazil janë mjekë dhe infermierë, që janë ndër grupet me rreziqet më të larta të infektimit, për shkak të ekspozimit shumë të lartë. "Bota ka nevojë urgjente për të dhënat e vaksinave lidhur me mjekët dhe infermierët, sepse ata janë në frontin e parë", shtoi ai.

Instituti "Butantan" i Brazilit publikoi të mërkurën rezultatet e fazës së fundit të vaksinave të zhvilluara nga Kompania Teknologjike "Sinovac" , që tregojnë një efektshmëri 100 % në parandalimin e infektimeve serioze e të moderuara, dhe 50.4 % në përgjithësi.

Të enjten një grup ekspertësh ndërkombëtarë nga OBSh-ja mbërriti në Wuhan për të kryer studime të përbashkëta me shkencëtarët kinezë.

Lidhur me këtë, z. Shao u shpreh se, me gjithë synimin për gjurmimin e burimit të mundshëm të virusit, përparësi e grupit të ekspertëve është vënia nën kontroll e pandemisë, sepse gjurmimi mund të kërkojë disa dekada. Sipas tij, pasi të vihet nën kontroll pandemia, shkencëtarët dhe studiuesit do të kenë kohë për të zhvilluar kërkime të gjithanshme e të hollësishme për gjurmimin e origjinës së virusit.(Zhang Yan/Artan)