Për shkak të shtimit të rasteve të COVID-19, mbi 20 mijë banorë nga 12 fshatra në distriktin Gaocheng të qytetit Shijiazhuang, kryeqendra e provincës Hebei të Kinës Veriore, janë zhvendosur në qendrat e karantinës që nga e mërkura, për të frenuar përhapjen e virusit.

Deri të enjten, në provincën Hebei janë raportuar 463 raste transmetimi të brendshëm dhe 195 raste asimptomatike.

"Në këtë distrikt, një fshat ka dhjetëra, madje qindra familje. Vetëm mbyllja e hyrjes së një fshati nuk mund të ndalojë ndërveprimin midis banorëve brenda këtij fshati, prandaj më mirë të zhvendosen banorët e fshatrave në një qendër të posaçme karantinimi," i tha Grupit Mediatik të Kinës Tong Zhaohui, ekspert në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë.

Tong shtoi se një pjesë e fshatarëve nuk janë infektuar nga virusi dhe izolimi në qendrën e posaçme të karantinës ka qëllim shmangien e rasteve të reja të infektimit nga ndërveprimi midis të infektuarve dhe të painfektuarve.

Ditët e fundit, në disa rajone kineze u raportuan raste sporadike të transmetimit të brendshëm të COVID-19, si edhe vatra infektimi. Vala e fundit e shpërthimit karakterizohet nga kohëzgjatja e madhe, sfera e gjerë, përhapja e shpejtë, prekja më shumë e moshave të vjetra dhe përqendrimi në zonat rurale, tha Mi Feng, zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.

Mi shtoi se në disa zona virusi përhapet brenda një lagjeje dhe midis brezave të një familjeje.

"Mbyllja në shtëpi nuk mund të arrijë qëllimin e karantinës, sepse mund të shkaktojë lehtësisht raste vatrash infektimi në familje," citoi agjencia "Hsinhua" zv.kryebashkiaken e Shijiazhuang-ut Meng Xianghong.

"Çdo fshatar banon në një dhomë të vetme në hotel dhe mat temperaturën e trupit çdo mëngjes e mbrëmje, ndërsa stafi i qendrës së karantinës i dezinfekton korridoret tre herë në ditë," i tha një fshatar me emrin Du Jinglin agjencisë së lajmeve "Hsinhua".

Sipas të dhënave nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, të mërkurën në pjesën kontinentale të Kinës u raportuan 124 raste transmetimi të brendshëm, 81 prej të cilave në provincën Hebei dhe 43 në provincën Heilongjiang. (Wang Lei)