Me afrimin e Festës së Pranverës apo Vitit të Ri kinez, autoritetet kineze u kanë kërkuar banorëve të evitojnë udhëtimet e panevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë asaj të quhet migrimi më i madh njerëzor në botë.

"Njerëzit këshillohen të qëndrojnë në qytetin e tyre ose vendet e punës dhe të pakësojnë sa më shumë udhëtimet për pushime," tha të shtunën në një konference shtypi nënkryetari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, Zeng Yixin. Zeng gjithashtu i këshilloi banorët të blejnë në internet për të mënjanuar daljet.

Pas raportimit të rasteve të konfirmuara në disa zona të vendit në ditët e fundit, shumë qeveri vendore nxorrën njoftime duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bëjnë udhëtime "të panevojshme" në qytetet e tyre për të parandaluar përhapjen e virusit.

Për shembull, qeveritë lokale këshilluan qytetarët nga Anhui që punojnë në provinca, komuna dhe qytete të tjera ta kalojnë festën tradicionale në vendin ku ata punojnë.

Disa provinca dhe qytete, veçanërisht importuesit e punëtorëve migrantë, kanë nxjerrë politika për t’i inkurajuar njerëzit t’i kalojnë pushimet vjetore të bashkimit familjar në vendet e tyre të punës.

Provinca Zhejiang e Kinës lindore po inkurajon ndërmarrjet të organizojnë veprimtari kulturore dhe të shpërndajnë zarfa të kuq me para për punëtorët që rrinë në punë.

Disa qytete kërkojnë që punëtorët migrantë para se të kthehen të testojnë negativ ndaj COVID-19. Sipas autoriteteve në qarkun Linquan, të qytetit Fuyang në provincën Anhui të Kinës lindore, nëse punëtorët migrantë duhet të kthehen patjetër në vendlindjet e tyre gjatë Festës së Pranverës, ata duhet të kenë një rezultat negativ të testit të acidit nukleik nga shtatë ditët e mëparshme.
Autoritetet në qarkun Linquan gjithashtu theksuan që punëtorët migrantë duhet të raportojnë informacionin e tyre tek autoritetet përkatëse në fshatrat ku kthehen dhe të raportojnë kushtet e tyre shëndetësore tek autoritetet vendore

Për më tepër, disa qytete kanë mbështetur darkat e bashkimit familjar të më pak se 10 personave dhe kanë kërkuar që urimet të dërgohen në internet ose përmes thirrjeve telefonike.

Hekurudhat e Kinës pritet të transportojnë 407 milionë pasagjerë gjatë udhëtimit të ardhshëm të Festës së Pranverës. Sidoqoftë, njerëzit në Kinë po rishikojnë planet e tyre të udhëtimit për shkak të një ringjalljeje të fundit të rasteve të koronavirusit.

"Unë kam lindur në një fshat në provincën Anhui të Kinës lindore. Fshatarët janë mësuar të vizitojnë të afërmit dhe miqtë gjatë pushimeve të Festës së Pranverës. Vendasit kanë një vetëdije relativisht të uët për parandalimin e COVID-19", tha Huang, i cili punon në qytetin Shenzhen, të provincës Guangdong të Kinës jugore, cituar nga “Chinanews.com”.

Duke marrë parasysh dimrin e ftohtë në vendlindjen e tij, Huang tha se i ka ftuar tashmë prindërit e tij që të kalojnë festën së bashku në Shenzhen, pasi është më ngrohtë.

"Për shkak të koronavirusit të ri, ne nuk u kthyem në shtëpi dhe qëndruam në Shangai për të kaluar Festën e kaluar të Pranverës. Këtë herë, ne planifikojmë të kthehemi në qytetin tonë," u citua Yang Jing nga “Chinanews.com”.

"Nëse nuk mund të kthehemi në shtëpi këtë Festë Pranvere, ne mund t'i shohim prindërit tanë festën publike pesëditore në maj," tha Cai Chuanlei, një praktikues i ligjit në Gjykatën Popullore të qarkut Chaoyang në Pekin.

Dy muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për përpjekjet anti-epidemike të vendit, tha Zhang Boli i Akademisë Kineze të Inxhinierisë së fundmi, duke vënë në dukje se temperaturat e ulëta favorizojnë mbijetesën e virusit. (Albana)