Kina do të përmirësojë aftësitë e trajtimit të ujërave të zeza dhe transformimin e tyre në burime gjatë pesë viteve të ardhshme, sipas Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës (NDRC).

Deri në vitin 2025, vendi do të shohë një përmirësim të dukshëm në efikasitetin e grumbullimit të ujërave të zeza, ndërsa aftësitë e trajtimit të tyre në qytete dhe qarqe do të plotësojnë kërkesat lokale të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, sipas një dokumenti të lëshuar bashkërisht të hënën nga 10 departamente qeveritare, përfshirë NDRC.

Ndërkohë, në qytetet që vuajnë nga mungesa e ujit, më shumë se 25 për qind e ujërave të zeza totale të trajtuara duhet të përdoren si ujë i rikuperuar, citon “Xinhua” dokumentin. Për rajonin Pekin-Tianjin-Hebei në veri të Kinës, norma duhet të jetë mbi 35 për qind.

Deri në vitin 2035, Kina pret të krijojë një model të organizuar, të sigurt, miqësor ndaj mjedisit dhe ekonomik në përdorimin e burimeve të ujërave të zeza, thuhet në dokument, ku kërkohet të bëhen përpjekje për të çuar përpara riciklimin e ujërave të ndotura si burime në zona kyçe.

Kina shkarkoi rreth 75 miliardë metra kub të ujërave të ndotura urbane në 2019-n, por sasia e ujit të rikuperuar të përdorur ishte më pak se 10 miliardë metra kub në të njëjtën periudhë. (Elona)