Të mërkurën, Korporata e Shkencës dhe e Teknologjisë Hapësinore e Kinës njoftoi sonda e parë e Kinës për në Mars, "Tianwen-1", do të futet në orbitën e "planetit të kuq" më 10 shkurt.

Sonda do të bëjë një manovër "frenimi" për të ngadalësuar shpejtësinë e për të hyrë në fushën e rëndesës të Marsit.

Deri në orën 6 të mëngjesit të 3 janarit, sonda kishte udhëtuar mbi 400 milionë km pas 163 ditësh në hapësirë, dhe ishte rreth 130 milionë km larg Tokës dhe 8.3 milionë km nga Marsi.

Sonda kineze përbëhet nga një orbitues, një zbritës dhe një rover. Orbituesi ka bërë tashmë vetinspektimin e tretë dhe të gjitha sistemet e tij janë në gjendje normale.

Largësia mes Marsit dhe Tokës ndryshon në mënyrë të herëpashershme, duke arritur nga rreth 50 milionë km në mbi 400 milionë km.

Zv.komandanti i sondës së Marsit pranë Akademisë së Teknologjisë Hapësinore të Kinës Li Zhencai thotë që kur "Tianwen-1" t'i afrohet Marsit, do të ndodhet 190 milionë km larg Tokës. Me këtë distancë të madhe, telekomandimi nga Toka nuk do të jetë i mundur, kështu që sonda duhet të vetëkomandohet.

Li shpjegoi që do të bëhet ndreqja e 4-t orbitale për të garantuar futjen e sondës në orbitën e Marsit. Pas hyrjes në orbitë, sonda do të fillojë përgatitjet për ulje në këtë planet.

Misioni "Tianwen-1" është hapi i parë i Kinës për eksplorimin e pavarur ndërplanetar, gjatë të cilit pritet të kryhet rrotullimi rreth orbitës, ulja dhe lëvizja në Mars nëpërmjet një lëshimi të vetëm. (Jiang Lei)