Kina u shpreh të enjten se mediave amerikane u nevojitet vetëreflektim, sepse ato bënë reagime krejt të ndryshme mbi trazirat në "Kapitol Hill" në krahasim me njoftimet e tyre mbi trazirat në Hong-Kong vitin e kaluar.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying i tha këto duke komentuar për trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan, që kanë shkaktuar 4 të vdekur deri tani, duke përfshirë një grua të vrarë nga policia.

Të mërkurën, qindra përkrahës të presidentit amerikan Donald Trump sulmuan "Kapitol Hillin" për të përmbysur humbjen e Trumpit në zgjedhjet presidenciale. Si pasojë, seanca ku do të certifikohej fitorja e presidentit të zgjedhur Joe Biden, u shty.

Policia shtiu me armë zjarri mbi një grua që orvatej të thyente pengesat para derës së Kongresit. Ajo u plagos dhe u shtrua në spital, ku vdiq më vonë.

Duke folur për këtë tragjedi, Hua Chunying-u shprehu shpresën se në ShBA do të rivendosen paqja dhe stabiliteti, sepse situata e atjeshme i kujton protestat e vitit të kaluar në Hong-Kong.

Ajo shprehu dyshime gjithashtu mbi reagimet e ndryshme të mediave kryesore amerikane, të cilat i vlerësuan veprimet e dhunshme në Hong-Kong, duke i përshkruar protestat si "panoramë e bukur" dhe ekstremistët "heronj të demokracisë", por i dënuan protestat e së mërkurës si "trazira", duke i cilësuar protestuesit si "turma".

Hua Chunying vuri në dukje se këto thënie kanë dallime të dukshme dhe se mediave amerikane u nevojitet vetëreflektim.

Duke folur për humbjen e katër jetëve në trazira, Hua Chunying tha se kjo të kujton se sa e përmbajtur dhe profesioniste u tregua policia e Hong-Kongut në përballimin e një gjendjeje mjaft më serioze.

Në korrik të vitit të kaluar, protestuesit e dhunshëm sulmuan Këshillin Legjislativ të Hong-Kongut dhe shkatërruan stemën e këtij rajoni. Disa prej tyre vunë zjarre në vende të ndryshme dhe sulmuan policë me thikë dhe pluhur helmues.

Hua Chunying-u shtoi se shumë gazetarë, duke përfshirë një gazetar kinez, u sulmuan në "Kapitol Hill", dhe i bëri thirrje qeverisë amerikane të marrë masat e duhura për të mbrojtur gazetarët. (Fani/Artan)