Kina këshillon qytetarët kundër udhëtimeve dhe grumbullimeve gjatë Festës së Pranverës

Grumbullime të vogla, maska në çdo kohë dhe paralajmërime për udhëtime. Festa e Pranverës 2021 duket se do të jetë e qetë pasi autoritetet kineze lëshuan udhëzimet e sigurisë COVID-19 përpara sezonit të festave.

Mekanizmi i Përbashkët i Parandalimit dhe Kontrollit të Këshillit të Shtetit, një taskforcë që bashkërendon përgjigjen kundër epidemike të Kinës nëpër shumë ministri, publikoi javën e kaluar disa rekomandime dhe masa paraprake për njerëzit që të qëndrojnë të sigurt gjatë Festës të ardhshme të Pranverës.

Festa e Pranverës ose Viti i Ri Kinez është pa dyshim data më rëndësishme në kalendarin kulturor të Kinës, një kohë për bashkime familjare, grumbullime shoqërore dhe darka të mëdha. Pushimi shtatëditor nxit gjithashtu udhëtimin e cilësuar si "migrimi më i madh vjetor njerëzor" ndërsa miliona vetë kthehen në shtëpi për të pritur ndërrimin e motmoteve (sipas kalendarit kinez) me të dashurit e tyre.

Por koronavirusi e ndryshoi këtë pamje. Vitin e kaluar, Kina filloi regjistrimin e rasteve të asaj që më vonë do të njihej si COVID-19 rreth Festës së Pranverës, ku në qytetin qendror të Wuhan u shfaqën rastet e para në vend. Kjo shkaktoi bllokim në 23 janar 2020, në prag të vigjiljes së Vitit të Ri Hënor. Masa drastike prishi atmosferën festive në të gjithë vendin dhe sinjalizoi fillimin e muajve të distancimit shoqëror, kufizimeve të lëvizjes dhe ndërprerjes së disa veprimtarive të përditshme.

Një vit më pas, Kina arriti të kontrollojë kryesisht shpërthimin në vend, por rastet sporadike të kohëve të fundit dhe infeksionet lokale po shtyjnë autoritetet të vazhdojnë me masat edhe në Javën e Artë, e cila këtë vit bie më 11-18 shkurt. Prej orës 10:00 të së hënës me kohën e Pekinit, 45 lokalitete në pjesën kontinentale të Kinës janë caktuar si zona me rrezik të mesëm.

Grumbullime të vogla, inkurajohen takimet virtuale

Ndërsa inkurajoi takimet virtuale sa më shumë që të ishte e mundur, autoritetet rekomanduan që mbledhjet familjare të kufizoheshin në 10 persona më së shumti. Ata që shfaqin simptoma si kollë dhe ethe duhet të vetëveçohen. Njoftimi gjithashtu bëri thirrje për masa shtesë për aktivitetet që përfshijnë 50 ose më shumë njerëz. Grupet me përparësi duhet të vaksinohen para Festës së Pranverës, sipas udhëzimeve. Javën e kaluar, Kina miratoi përdorimin publik të një vaksine të prodhuar në vend kundër COVID-19, ku mbi 73,500 persona në rrezik më të lartë të prekjes do të vaksinohen në dy ditët e para të një fushate imunizimi.

Udhëtimet për pushime nuk këshillohen

Vitet e fundit është rritur numri i pushuesve që preferojnë të udhëtojn gjatë Festës së Pranverës, por autoritetet kineze të turizmit thanë që është më mirë të mos bëhen udhëtime turistike këtë vit.

Liu Kezhi, drejtor i Departamentit të Menaxhimit të Tregut në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, ka këshilluar kundër udhëtimeve të panevojshme dhe të mos udhëtohet jashtë vendit ose në zona me rrezik të mesëm dhe të lartë brenda Kinës.

Zyrtari tha se Ministria ende nuk i ka dhënë dritën jeshile agjencive të udhëtimit dhe kompanive të udhëtimit në internet të rifillojnë shërbimet e tyre në ture dhe do të vazhdojë të menaxhojë fluksin e vizitorëve në vendet piktoreske dhe vendet e argëtimit, të cilat aktualisht veprojnë me një kapacitet 75 për qind.

Mbrojtja personale ende e rëndësishme

Mbajtja e maskave, vëzhgimi i distancës dhe higjiena e duarve janë ende të rëndësishme, tha Wu Zunyou, kryeepidemiolog në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Wu tha se duhet të mbahen maskat sidomos në zonat me popullsi të dendur dhe vendet me nivel të dobët ajrimi. (Albana)