Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit e Kinës publikoi të martën rregullat pilot për skemën kombëtare të pakësimit të emetimit të karbonit.

Sipas ministrisë, periudha e parë e pajtueshmërisë filloi më 1 janar dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor. Ajo përfshin 2,225 kompani në sektorin e gjenerimit të energjisë në vend.

Tregtimi i emetimeve të karbonit është një formë e tregtimit të lejeve. Sipas rregullave pilot, në fuqi nga 1 shkurti, firmat që lëshojnë 26 mijë tonë ose më shumë dioksid karboni në vit lejohen të tregtojnë. Kreditë e emetimit të karbonit u akordohen emetuesve gjatë një periudhe të caktuar dhe lejimet mund të tregtohen përmes transferimit të negociatave dhe ofertave.

"Ndërmarrjet janë trupi kryesor i pakësimit të emetimeve. Kjo është hera e parë që përgjegjësia e shkurtimit të emisioneve të gazeve serë u vihet ndërmarrjeve nga niveli kombëtar," tha të martën Li Gao, kreu i departamentit të ndryshimeve klimatike. Ai shtoi se lëvizja do të nxisë ndërmarrjet të shkurtojnë emetimet dhe është e një rëndësie të madhe për arritjen e zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët.

Sipas Bankës Botërore, ekzistojnë dy lloje të çmimeve të karbonit: sistemet e tregtimit të emetimeve (ETS) dhe taksat e karbonit. Ndonjëherë referuar si një sistem i kufizuar dhe i tregtisë, ETS mbulon nivelin e përgjithshëm të emetimeve të gazrave serë por lejon industritë me emisione të ulëta të shesin kreditet.

Prej vitit 2011, Kina ka pilotuar tregtimin e emetimeve të karbonit në shtatë provinca dhe qytete duke përfshirë Pekinin, Shangain dhe Shenzhenin për të eksploruar mekanizmat e bazuar në treg për të mbajtur nën kontroll emetimet e gazeve serë.

Kina nisi në 2017-n një skemë tregtare të emetimit të karbonit në të gjithë vendin, një hap drejt një tregu kombëtar të karbonit që synon të jetë më i madhi në botë.

Kuotat e emetimeve u ndahen ndërmarrjeve në përputhje me skemën, duke i lejuar ndërmarrjet, emisionet e karbonit të të cilave tejkalojnë pjesën e tyre për të blerë lejime të papërdorura nga subjekte më pak ndotëse.

Rreth 406 milionë ton kuota të emetimit të dioksidit të karbonit u tregtuan në tregjet pilot të tregtimit të karbonit deri në fund të gushtit 2020, ku transaksionet arritën një total prej 9.28 miliardë juan (rreth 1.38 miliardë dollarë), sipas Ministrisë.

Shtatorin e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping njoftoi se vendi synon të arrijë kulmin e emetimeve të karbonit para vitit 2030 dhe të arrijë asnjanjësimin para fundit të vitit 2060. (Albana)