Të dhënat më të fundit të publikuara nga Departamenti i Financave i Rajonit Autonom të Xizang-ut (Tibetit) të Kinës tregojnë se në vitin 2020, ndër shpenzimet fiskale të Xizang-ut, 177.6 miliardë juanë janë përqendruar në fushat kryesore lidhur me jetesën e njerëzve, duke zënë 80.4 % të vëllimit të përgjithshëm. Shpejtësia e rritjes së shpenzimeve vjetore në fushat kryesore lidhur me jetesën e njerëzve i ka kaluar 10 %.

Inspektori i nivelit të dytë i Departamentit të Financave të Rajonit Autonom të Xizang-ut Xiao Houguo u shpreh se, në fushën e financimit të sigurimeve shoqërore, Xizang-u ka përmirësuar sistemin e garantimit të minimumit jetik për banorët e qytetit dhe të fshatit. Standardi i minimumit jetik ka arritur në 847 juanë për frymë në muaj dhe 4713 juanë për frymë në vit. Për sa i përket garantimit të arsimit, shpenzimet për arsimin në këtë rajon janë rritur me 15 % në vit gjatë pesë vjetëve të fundit, duke realizuar “tre garancitë” (ushqimin, strehimin dhe shpenzimet themelore të arsimit) për 15 vjet, nga faza e arsimit parashkollor deri në shkollën e mesme. Ndërkohë, është zbatuar politika e subvencionimit të plotë të arsimit për fëmijët e familjeve të varfra në qytete, me një standard subvencionimi 4 200 juanë për çdo nxënës e student në vit, prej së cilës kanë përfituar mbi 600 mijë nxënës e studentë.

Gjatë periudhës së “Planit të 13-të pesëvjeçar”, Xizang-u ka dhënë subvencione punësimi me vlerë të përgjithshme 6.3 miliardë juanë, dhe 21 600 vende të reja pune janë krijuar në qytete, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar urbane është kontrolluar brenda 3 %. (Fang Xiaoyu、Artan)