Mostrat e mbledhura nga një departament i Kompanisë së Tregtimit dhe Shërbimeve për Pjesët e Këmbimit për Azinë Verilindore të "Daimler"-it në distriktin Shunyi të Pekinit dolën pozitive për COVID-19, tha zëvendësdrejtori i distriktit Shunyi Zhi Xianwei në një konferencë shtypi të dielën.

Sipas tij, kompania e pjesëve të automjeteve është e vendosur në zonën industriale Jinma në Shunyi dhe 11 punonjës të saj kanë dalë pozitivë për koronavirusin.

Zhi bëri të ditur se rasti i parë i konfirmuar u zbulua në këtë kompani më 26 dhjetor. Distrikti Shunyi menjëherë mbylli zonën industriale dhe pezulloi punën e prodhimin.

Më 30 dhjetor, kompania "Daimler" tha se kishte futur në karantinë punëtorët përkatës dhe kishte vënë në veprim mekanizmin e reagimit urgjent.

Rregullatori i inspektimit të disiplinës i Pekinit tha më 1 janar se kompania nuk iu përmbajt në mënyrë rigoroze rregullave përkatëse për parandalimin e kontrollin e epidemisë dhe kishte probleme të tilla si grumbullimet e punonjësve dhe mbajtja e parregullt e maskave.

Në fillim ishin punëtorët që u infektuan me virus, pastaj ata ndotën pjesët e automjeteve, pra nuk ishin këto të fundit që i infektuan punëtorët. Por virusi mbijetoi në këto pjesë automjetesh për një kohë të gjatë për shkak të motit të ftohtë, kështu që u arrit të zbulohej kur ato u transportuan në vende të tjera, tha në një intervistë për CCTV-në kryepidemiologu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i Kinës Wu Zunyou. Sipas tij, niveli i ndotjes ishte e vogël dhe njerëzit nuk mund të infektoheshin nga prekja e këtyre pjesëve të automjeteve.

Megjithatë, në qytete si Yantai dhe Linyi në provincën Shandong të Kinës Lindore, Hohhot në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme dhe Jincheng në provincën Shanxi të Kinës Veriore, ambalazhet e pjesëve të automjeteve me origjinë nga kompania "Daimler" kanë testuar pozitive për COVID-19. (Zhan Dian/Artan)