Gjithsej 73 537 veta në 220 pika vaksinimi në gjithë Pekinin kanë bërë dozën e parë të vaksinës së COVID-19 gjatë dy ditëve që kur kryeqyteti kinez nisi vaksinimin e grupeve të veçanta të njerëzve me rrezik më të lartë infektimi të premten.

Asnjë efekt serioz anësor nuk është vërejtur midis atyre që bënë vaksinën, tha Gao Xiaojun, zëdhënës i Komisionit të Shëndetësisë të Bashkisë së Pekinit të dielën në një konferencë për shtypin.

Vaksinimi mbulon kryesisht nëntë grupe njerëzish të moshës 18 deri në 59 vjeç në Pekin, duke përfshirë inspektorë doganash të mallrave të ngrira të importuara dhe punonjës në sektorin e transportit të jashtëm dhe të brendshëm.

Një punonjëse në një pikë vaksinimi në distriktin Xicheng të Pekinit po priste për personat që do të bënin vaksinën në orën 7 të mëngjesit të së dielës.

"Unë jam përgjegjëse për verifikimin dhe regjistrimin e letërnjoftimeve para se të bëjnë vaksinën," tha gruaja me fytyrë dhe duar të skuqura për shkak të të ftohtit. "Këtu ne u shërbejmë kryesisht atyre që punojnë në zinxhirin frigoriferik dhe hoteleri. Të gjithë u vunë në radhë me rregull, duke e kuptuar dhe mbështetur plotësisht punën tonë."

"Kompania na informoi për nëntë kundërindikacione të mundshme të bërjes së vaksinës. Meqenëse nuk kam asnjë prej tyre, erdha pa ngurrim," tha Xie Fei, që punon në një supermarket "Walmart".

"Vaksinën ma bënë brenda disa minutash dhe u vëzhgova për gjysmë ore. Tani nuk kam ndonjë shqetësim," shtoi Xie, që erdhi me rreth 30 kolegë. "Shpesh në punë jam në kontakt me ushqimin e ngrirë të importuar dhe vaksinimi kundër COVID-19 më mbron jo vetëm mua, por edhe klientët."

Të vaksinuarit do të marrin informacion të përditësuar në aplikacionin e kodit shëndetësor të Pekinit, vuri në dukje zëdhënësi Gao Xiaojun, duke shtuar se ata që kanë plane urgjente për të udhëtuar jashtë shtetit mund të aplikojnë për vaksinim në qendrat e shërbimit të lagjeve.

Pasi vaksinat të marrin miratimin e tregut, autoritetet në Pekin do të fillojnë vaksinimin e grupeve të tjera në bazë të rezervimit, njoftoi Gao në një konferencë të mëparshme për shtypin.

Kina njoftoi të enjten se kishte dhënë autorizim marketingu të kushtëzuar për vaksinën e parë kineze të COVID-19. Vaksina e çaktivizuar mori miratimin nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore. Ajo është krijuar nga Instituti i Produkteve Biologjike i Pekinit pranë Grupit Bioteknologjik Kombëtar të Kinës, degë e "Sinopharm"-it. (Artan)