Kina do të promovojë risitë teknologjike në industrinë e farërave dhe do të përmirësojë mbrojtjen e tokave bujqësore në vitin 2021, për të garantuar sigurinë e drithërave, tha ministri kinez i Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale Tang Renjian.

Duke i quajtur farërat "mikroçipin" e bujqësisë, ministri u zotua ta bëjë zhvillimin e industrisë së farërave një detyrë kryesore të modernizimit bujqësor dhe rural të vendit.

Tang kërkoi përparime teknologjike në fushën e farërave, duke bërë thirrje për forcimin e përpjekjeve për krijimin e bankave të farërave, themeli i risive në këtë industri.

Rezerva e tanishme e germplasmës së kulturave bujqësore të Kinës përmban 440 000 burime bimësh. Një rezervë e re e germplasmës me kapacitetin më të lartë në botë, 1.5 milion burime kulturash të ndryshme bujqësore, do të vihet në funksionim në vitin 2021.

Përveç fuqizimit të industrisë së farërave, Tang nënvizoi përpjekjet për ruajtjen e tokave bujqësore për të siguruar prodhimin e drithërave.

Sipërfaqja e përgjithshme e tokës së punueshme nuk do të jetë më pak se 1.8 miliardë mu (120 milionë hektarë), një vijë e kuqe e vendosur nga qeveria kineze, dhe duhet të bëhen përpjekje për të parandaluar përdorimin e tokës së punueshme për qëllime jobujqësore, theksoi kreu i dikasterit kinez të bujqësisë.

Në dy vjetët e fundit Kina ka shtuar 80 milionë mu tokë bujqësore me standard të lartë që mund të sigurojë rendimente të qëndrueshme drithërash, pavarësisht thatësirave ose sasisë të madhe të reshjeve, dhe ka në plan të shtojë 100 milionë mu tokë të tillë bujqësore sivjet, 25 për qind më shumë se vitin e kaluar, tha Tang. (Çang Çuo)