Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë i Kinës (CSRC) mbështet në mënyrë të vendosur tre kompanitë e mëdha kineze të telekomit në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme, tha të dielën në një deklaratë një zëdhënës i CSRC-së.

Bursa e Nju-Jorkut (NYSE) njoftoi të enjten se do të fillonte çregjistrimin e "China Telecom", "China Mobile" dhe "China Unicom Hong Kong", duke zbatuar një urdhër ekzekutiv nga presidenti i ShBA-së Donald Trump, që vendos kufizime mbi kompanitë e identifikuara si "të lidhura me ushtrinë kineze".

Zëdhënësi tha se kjo masë e ShBA-së "shpërfill plotësisht gjendjen e tanishme të kompanive përkatëse dhe të drejtat dhe interesat e ligjshme të investitorëve globalë, si edhe cenon rëndë rregullat dhe rendin normal të tregut".

Ai shtoi se rregullatori i letrave me vlerë i Kinës do të mbështesë tre kompanitë e mëdha kineze të telekomit "të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre me anë të ligjit", duke shprehur besimin se ato do të trajtojnë siç duhet efektet e pafavorshme të urdhrave administrativë dhe masave të çregjistrimit.

Gjatë lëshimit të Dëftesave Depozitëmbajtëse Amerikane (ADR) dhe listimit në Bursën e Nju-Jorkut për gati ose më shumë se dy dekada, të tre kompanitë kineze kanë vepruar gjithmonë në përputhje me rregullat dhe kërkesat rregullatore të tregut të letrave me vlerë të ShBA-së dhe kjo është pranuar përgjithësisht nga investitorët globalë, vuri në dukje CSRC-ja. Ajo vuri në dukje se, me një bazë të madhe përdoruesish, themele të qëndrueshme, si dhe një ndikim të rëndësishëm në industrinë globale të shërbimeve të telekomunikacionit, përmasa e përgjithshme e ADR-ve të tre kompanive është megjithatë e vogël, me një vlerë të përgjithshme tregu prej më pak se 20 miliardë juanësh (rreth 3 miliardë dollarë). "Edhe nëse çlistohen, ndikimi i drejtpërdrejtë në zhvillimin e kompanive dhe funksionimin e tregut është mjaft i kufizuar," vuri në dukje CSRC-ja.

Statusi i Shteteve të Bashkuara si një qendër financiare ndërkombëtare varet nga besimi i kompanive e investitorëve globalë në tolerancën dhe sigurinë e rregullave e të sistemeve të saj, theksoi rregullatori, duke shtuar se, fatkeqësisht, disa forca politike në ShBA kohët e fundit kanë "shtypur vazhdimisht kompanitë e huaja të listuara në Shtetet e Bashkuara pa asnjë arsye, duke dëmtuar pozicionin global të tregut amerikan të kapitaleve, çka që nuk është gjë e mençur".

"Ne shpresojmë që ShBA-ja të respektojë sundimin e ligjit dhe rregullat e normat e tregut dhe të bëjë më shumë për të ruajtur rendin e tregut financiar global, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshme të investitorëve dhe për të kontribuuar në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë globuar", shtoi CSRC-ja.

Të shtunën, Ministria kineze e Tregtisë tha se Kina do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e ndërmarrjeve kineze.

Fang Xinghai, nënkryetar i CSRC-së, u shpreh në një intervistë ekskluzive për CGTN-in që, nëse armiqësia e ShBA-së ndaj kompanive kineze do të vazhdojë, kompanitë kineze të listuara në ShBA kanë mundësi alternative dhe mund të regjistrohen në Hong-Kong, Shangai ose madje dhe në Londër. (Artan)