Kina dënoi të hënën ashpër vrasjet e civilëve afganë nga ushtarët australianë. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying tha se qeveria australiane duhet të ndihet "e turpëruar" nga vrasjet.

Sipas një raporti të publikuar kohët e fundit, forcat speciale australiane thuhet se janë të përfshira në vrasjen e 39 civilëve afganë, e në disa raste në ekzekutimin e të burgosurve, duke shpikur më pas histori për të mbuluar vrasjet dhe duke vendosur armë te kufomat.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian shkroi në "Twitter" se ishte i tronditur, duke e shoqëruar komentin me një pamje që duket se tregonte një ushtar të forcave speciale australiane me një thikë të përgjakur në fytin e një fëmije afgan.

Postimi e zemëroi kryeministrin australian Scott Morrison, i cili bëri thirrje për kërkesë ndjese.

Në një konferencë shtypi, Hua e hodhi poshtë reagimin e kreut të qeverisë australiane.

"A nënkupton reagimi i fortë i palës australiane ndaj postimit personal të kolegut tim në 'Twitter' se vrasja e pashpirt e civilëve të pafajshëm afganë është e justifikuar, ndërsa dënimi i krimeve të tilla është i paarsyeshëm?" pyeti ajo.

"Jeta e afganëve është gjithashtu 'jetë' dhe ajo që qeveria australiane duhet të bëjë është të reflektojë thellë, t'i nxjerrë vrasësit para drejtësisë dhe t'i kërkojë falje zyrtare popullit afgan," shtoi zëdhënësja.

Sa i përket pamjes së postuar në "Twitter", Hua tha se më shumë vëmendje duhet t'i kushtohet domethënies se burimit të saj. "Qëllimi i asaj pamjeje është të tregojë zemërimin e njerëzve për krime të tilla," vuri në dukje ajo.

"Mendoj se ajo që duhet të bëjë qeveria australiane, është të përballet me faktet dhe të hetojë më tej nëse trupat e saj kanë kryer apo jo krime të tilla mizore në Afganistan," shtoi zëdhënësja, duke thënë që reagimi i palës australiane nuk është një "qasje e pjekur dhe e arsyeshme." (Vera)