Organi më i lartë i planifikimit ekonomik i Kinës theksoi të martën se Kina ka zhvilluar një bashkëpunim të qëndrueshëm me vendet e "Një brez, një rrugë" për përballimin e epidemisë së COVID-19.

Zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit e të Reformës të Kinës Meng Wei u shpreh në një konferencë shtypi se Kina ka nënshkruar 201 dokumente bashkëpunimi në kuadër të "Një brez, një rrugë" me 138 vende e 31 organizata ndërkombëtare.

Sipas tij, në 9-mujorin e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Kinës me vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" arriti në 963.42 miliardë dollarë amerikanë dhe investimet jofinanciare në këto vende u shtuan me 29.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 13.02 miliardë dollarë.

Meng Wei tha se rrjeti i shërbimit hekurudhor të mallrave Kinë-Europë funksionon aktivisht. Deri më 5 nëntor, trenat e mallrave Kinë-Europë kanë kryer 10 180 udhëtime, duke transportuar rreth 8 milionë pako me furnizime mjekësore.

Njëkohësisht, projektet kryesore të "Një brez, një rrugë", duke përfshirë hekurudhat Kinë-Laos e Kinë-Tajlandë, hekurudhën me shpejtësi të madhe Jakarta-Bandung dhe hekurudhën Hungari-Serbi, kanë pasur përparim.

Meng Wei shtoi se, pas shpërthimit të COVID-19, Kina është bërë vendi më i madh furnizues i materialeve antipandemike në botë, duke u dhënë mbi 150 vendeve e organizatave ndërkombëtare mbi 280 kontingjente materialesh urgjente. (Fani/Artan)