Studiuesit kinezë kanë zhvilluar një makineri që lejon përdoruesit të marrin në mënyrë të pavarur material në fyt për të diagnostikuar Covid-19, pa ndihmën e personelit mjekësor, bën të ditur “Xinhua”.

“Makineria i lejon përdoruesit ta kryejnë vetë një tampon të shpejtë, çka do të ulë edhe mundësinë e rrezikut të infeksionit për punonjësit e kujdesit shëndetësor", -tha Xiao Liehui, studiuesi kryesor i Spitalit Universitar të Shenzhenit.

Zhvilluar bashkërisht nga spitali dhe një kompani teknologjike në Shenzhen, pajisja u prezantua në edicionin e 22-të të Panairit “Hi-Tech”, që përfundoi të hënën në Shenzhen. Për të realizuar tamponin, përdoruesi vendos doreza, skanon kodet, mbledh material nga fyti dhe i fut mostrat në pajisje. I gjithë procesi zgjat rreth pesë minuta. "Krahasuar me kohën mesatare prej tri minutash për të marrë mostrën manualisht, shpejtësia e makinës është më e ulët, por ajo mund të funksionojë 24 orë në ditë, gjë që do të kursejë shumë punë manuale dhe do të përmirësojë efikasitetin e marrjes së mostrave”, -tha Liu Yajie, nëndrejtor i spitalit. Tamponi molekular është një nga metodat më të rëndësishme diagnostike për Covid 19. Procesi aktual i mbledhjes kërkon që personeli mjekësor të veshë kostume të rënda mbrojtëse për të qëndruar në kontakt të ngushtë me pacientët. Vendosja e një tamponi në fyt mund të shkaktojë gjithashtu kollitje të pacientit, duke ekspozuar fytyrën e personelit mjekësor ndaj spërklave potencialisht të infektuara. Sipas spitalit, pajisja e patentuar ka kaluar provat klinike dhe prodhimi masiv i saj ka të ngjarë të fillojë në vitin 2021. (Elona)