Kundrejt një raporti të fundit për studimin e koronavirusit COVID-19, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian tha të martën në Pekin se shpreson që vendet e ndryshme do të tregohen aktive dhe do të forcojnë bashkëpunimin me OBSh-në, për të nxitur gjurmimin e origjinës së virusit në mbarë globin.
Mësohet se sipas një studimi të fundit nga Instituti Kombëtar i Kancerit (IKK) i qytetit italian të Milanos, koronavirusi COVID-19 filloi të përhapej në Itali qysh nga shtatori i vjetshëm, pesë muaj përpara pacientit zero të konfirmuar në Milano. Në raport thuhet se antitrupi i virusit u zbulua në testimet para shpërthimit të epidemisë në këtë vend dhe kjo ka mundësi të “rishkruajë historinë e pandemisë”.
Duke iu përgjigjur pyetjes përkatëse në konferencën e shtypit, Zhao Lijian tha se pala kineze ka parë njoftimet e pandërprera në botë për kohën dhe vendet e shpërthimit të pandemisë. Ky studim vërteton përsëri se gjurmimi i origjinës së virusit është një problem i ndërlikuar shkencor dhe ka nevojë për studimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar e shkencëtarëve në mbarë globin, për të mësuar më shumë për mënyrën e transmetimit dhe të përhapjes dhe për të parandaluar rreziqet e ardhshme për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të popujve të ndryshëm.
Në këtë drejtim, pala kineze do të vazhdojë të marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar. (Wang Lei/ Albana)