Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi rikonfirmoi të enjten angazhimin se Kina do ta bëjë vaksinën e vet kundër COVID-19 një produkt publik global dhe do të furnizojë vendet afrikane me vaksina kur ato të vihen në përdorim.
Duke folur në një pritje me rastin e 20-vjetorit të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC), kryediplomati kinez vlerësoi lart përpjekjet e FOCAC-ut për thellimin e miqësisë midis popullit kinez dhe popujve afrikanë.
“Kina do të vazhdojë të punojë me Afrikën për të zbatuar rezultatet e Samitit të Pekinit të FOCAC-ut e të Samitit të Jashtëzakonshëm Kinë-Afrikë për Solidaritetin kundër COVID-19, duke u fokusuar më shumë te shëndeti publik, rimëkëmbja ekonomike dhe përmirësimi i jetesës,” tha Wang.
Ai u bëri gjithashtu thirrje Kinës dhe vendeve afrikane që të forcojnë më tej solidaritetin dhe të ndërtojnë një bashkësi me fate të përbashkëta më të fortë, të përballojnë së bashku sfidat e tanishme, të krijojnë një bashkësi Kinë-Afrikë të shëndetit për të gjithë, të zhvillojnë bashkëpunim me përfitime të ndërsjella për të ndërtuar një bashkësi me zhvillim për të gjithë, të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë dhe të punojnë së bashku për një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit. (Li Huailiang)