Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për solidaritet në luftën kundër pandemisë së COVID-19.
Në një videofjalim të mbajtur në Forumin e 3-të Paqes të Parisit, Xi Jinping-u vuri në dukje:
"Kina do të vazhdojë të ndajë përvojën e vet në kontrollin e koronavirusit të ri dhe në diagnostikim e trajtim, do të japë ndihmë me pajisjet e nevojshme mjekësore dhe do të mbajë premtimin për t'i bërë vaksinat kineze një të mirë publike globale, duke e ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht vendet në zhvillim, të forcojë gatishmërinë për urgjencat e shëndetit publik, për të krijuar një bashkësi globale të shëndetit për të gjithë".
Presidenti kinez tha gjithashtu se Kina do të vazhdojë të nxitë Reformën e Hapjen me botën e jashtme dhe do të punojë së bashku me vendet e tjera për të ruajtur qëndrueshmërinë e zinxhirit global industrial e të furnizimit, duke nxitur hapjen e ekonomisë botërore.
Xi Jinping-u theksoi se Kina do të vazhdojë të zbatojë nismën e G20-s për pezullimin e borxheve të vendeve më të varfra.
Sipas tij, Kina do të hartojë plane për zbatimin e nismës së saj për të arritur kulmin e lëshimit të dioksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri në 2060-n.
Xi shtoi se Kina do t'i përmbahet rrugës të zhvillimit paqësor dhe do të forcojë bashkëpunimin me vendet e ndryshme, për të dhënë kontribut për paqen e qëndrueshmërinë botërore.
Ai u bëri thirrje vendeve të ndryshme të forcojnë solidaritetin, të nxitin bashkëpunimin, të ngulin këmbë në bashkëjetesën paqësore dhe të respektojnë të drejtat dhe rrugën e zhvillimit të njëri-tjetrit. (Fani)