“Elsevier”, një kompani kërkimore me bazë në Holandë, nxori versionin në anglisht të një libri kinez mbi parandalimin dhe trajtimin e Covid-19. “Elsevier”, i cili zotëron revistën mjekësore botërore “The Lancet”, botoi versionin në anglisht të “Covid 19: Të dhëna thelbësore të parandalimit dhe trajtimit” me “Shanghai Jiao Tong University Press”. Libri me recensent Zhong Nanshan, një ekspert i njohur kinez i sëmundjeve të frymëmarrjes, synon të ndajë me botën përvojën mjekësore të Kinës në luftimin e pandemisë Covid-19, bën të ditur “Xinhua”.
Versioni kinez, me redaktorë disa nga ekspertët më të njohur mjekësorë nga Shangai, Pekini dhe Shenzheni, u botua nga “Shanghai Jiao Tong University Press” në muajin prill. Redaktorët dhe autorët e librit janë të gjithë ekspertë mjekësorë, që kanë punuar në vijën e parë të frontit kundër pandemisë Covid 19. Libri është botimi i parë akademik mbi parandalimin dhe trajtimin e Covid 19 nga studiuesit mjekësorë kinezë, që u prezantua nga “Elsevier”. (Elona)