Edicioni i tretë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) përfundoi të martën me shumë marrëveshje paraprake me vlerë të përgjithshme prej 72.62 miliardë dollarësh amerikanë për blerjet njëvjeçare të mallrave dhe të shërbimeve. Kjo shifër është 2.1% më e lartë në krahasim me edicionin e kaluar, sipas organizatorëve të veprimtarisë.

Zv.drejtori i zyrës së punës të ekspozitës Sun Chenghai, tha se dëshira e bashkëpunimit për të gjithë pjesëmarrësit nuk është ulur pavarësisht përhapjes së pandemisë COVID-19.

Në fakt, ekspozita gjashtëditore u mbajt sipas planit të paracaktuar. Pjesëmarrësit në këtë ngjarje janë pjesëmarrës që morën pjesë në edicionet e kaluara si dhe të ftuar të rinj, nga gati 50 kompani ndër 500 firmat më të fuqishme dhe shumë të tjera udhëheqëse të industrive përkatëse. Pjesëmarrësit nga e gjithë bota kanë shfaqur teknologjitë, produktet dhe shërbimet e tyre të përparuara në gjashtë salla.

Në ceremoninë e hapjes, presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim tematik, ku theksoi se organizimi i ekspozitës së importit ka treguar dëshirën e sinqertë të Kinës për të ndarë shanset e tregut të saj me pjesën tjetër të botës dhe për të kontribuuar në mëkëmbjen e ekonomisë globale. Sipas tij, vëllimi i përgjithshëm i importit i Kinës parashikohet të tejkalojë 22 trilionë dollarë amerikanë në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Kreu i shtetit i Kinës shtoi njëkohësisht se masat për hapje të mëtejshme që deklaroi në edicionin e vjetshëm të ekspozitës janë jetësuar si duhet, duke nënvizuar këtë herë se zhvillimi me qarkullime më të hapura të brendshme dhe të jashtme do të favorizojë jo vetëm vendin e tij, por do t’u sjellë edhe popujve të vendeve të tjera më shumë përfitime.

Në sajë të masave efektive të kontrollit epidemik, Kina ka realizuar shërim të shpejtë nga goditja e virusit ndër ekonomitë kryesore. Në tre tremujorët e parë të këtij viti, ekonomia kineze u rrit 0.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Totali i tregtisë së jashtme (import-eksport) të saj shënoi po ashtu rritje pozitive në të njëjtën periudhë.

Prej majit, Kina ka nxitur Dinamikën e Zhvillimit të Dyfishtë, një model zhvillimi që njihet si “dy qarkullime”. Kjo strategji synon modelin e ri të zhvillimit me qarkullimin e brendshëm si thelb dhe me nxitjen e ndërsjellë të qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. (Zhang Yan/Albana)