Sipas një sondazhi global të kryer ditët e fundit nga kompania e njohur e analizave dhe e konsulencës "Gallup", Kina renditet në vendin e tretë lidhur me perceptimin e njerëzve për sigurinë personale. Në fakt, jo vetëm shtetasit kinezë ndihen të sigurt, por edhe shumë të huaj që jetojnë në Kinë janë kënaqur për gjendjen e sigurisë në Kinë.

Në sondazhin me 175 mijë pjesëmarrës mbi 15 vjeç nga 144 vende e rajone të botës, përqindja e të pyeturve në Kinë që u përgjigjën se "ndiej siguri kur dal natën", është 21 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja botërore.

Supaket Thanadtang nga Tajlanda jeton prej shtatë vjetësh në Kinë dhe ka studiuar në qytetet Xiamen dhe Pekin. Mbresa më e thellë e tij për Kinën është ekonomia e zhvilluar dhe rendi shoqëror. Natën ai nuk frikësohet të dalë jashtë, por ndihet i lirë të marrë pjesë në aktivitete argëtuese.

"Gjendja e rendit shoqëror në qytete (në Kinë) është e mirë. Kina është një vend shumë i sigurt. Kur shëtis natën në Pekin, ndihem më i sigurt se në Bangkok. Jeta këtu është e larmishme. Ka shumë pika turistike e shumë turistë të huaj, si edhe gjellë të shijshme. Më pëlqen muzika dhe jam pjesëtar i një grupi muzikor të huajsh në Pekin. Japim shfaqje në bare", u shpreh Thanadtang.

Znj. Tracy Pinshow Navon nga Izraeli është një psikologe që gjendet prej 13 vjetësh në Kinë bashkë me familjen e vet. Ajo tani jeton në metropolin e Kinës Jugore, Shenzhen. Sipas saj, Kina është plot gjallëri dhe i jep ndjenjën e sigurisë:

"Ndihem shumë e sigurt në Shenzhen, e po ashtu edhe familja ime. Duhet të dini se kjo është e rrallë për metropolet botërore. Jemi me fat që banojmë këtu." (Zhang Yan/Artan)