"Kina angazhohet për zhvillimin me cilësi të lartë dhe për t’u kthyer në një vend të fuqishëm në fushën e shkencës dhe teknologjisë"; "Plani i ri pesëvjeçar i Kinës është shumë ambicioz për krijimin e një fuqie në fushën tekniko-shkencore"... Ditët e fundit, mediat ndërkombëtare, si "Bloomberg News", revista "Fortune" etj., u fokusuan në fjalën kyçe "inovacion" të komunikatës së plenumit të 5-të të Komitetit të 19-të Qendror të PKK-së. Në propozimet mbi Planin e 14-të Pesëvjeçar të miratuar në këtë plenum, sugjerohet që duhet të këmbëngulet në vendin thelbësor të inovacionit në procesin e modernizimit të Kinës dhe që pavarësia shkencore e teknologjike të jetë një mbështetje strategjike për zhvillimin kombëtar dhe të vendoset në plan të parë të detyrave të ndryshme të planifikimit. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e hartimit të planit pesëvjeçar, gjë që tregon rëndësinë e madhe të inovacionit tekniko-shkencor për zhvillimin e ardhshëm të Kinës.
Nga Kongresi i 18-të i PKK-së që paraqiti "Strategjinë e zhvillimit të nxitur nga inovacioni", në Kongresin e 19-të, që theksoi se "inovacioni është forca kryesore nxitëse për zhvillimin" dhe deri tani, kur, në plenumin e 5-të të Komitetit të 19-të Qendror të PKK-së, u kërkua që "të përshpejtohet ndërtimi i një vendi të fuqishëm në shkencë dhe teknologji", planifikimi dhe zbatimi i inovacionit shkencor e teknologjik nga PKK-ja respektojnë vijimësinë politike dhe ruajnë ritmin e kohës.
Në fakt, objektivi i inovacionit shkencor dhe teknologjik nuk është vetëm përmbajtja e planit të ardhshëm pesëvjeçar të Kinës, por edhe është drejtimi afatgjatë i zhvillimit në të ardhmen. Objektivat afatgjatë për vitin 2035 të paraqitur në plenumin e 5-të të Komitetit të 19-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, përfshijnë "arritjen e përparimeve të mëdha në teknologjitë kryesore thelbësore dhe hyrjen në radhët e vendeve të përparuara inovative". Duke u nisur nga forca e tanishme e inovacionit shkencor dhe teknologjik të Kinës, mund të gjykohet se ka shumë kushte të favorshme për realizimin e këtij objektivi.
Në pesë vjetët e fundit, përqindja e kontributit të përparimit shkencor dhe teknologjik të Kinës është rritur nga 55.3 % në 59.5%. Kina ka pasur vazhdimisht arritje të mëdha tekniko-shkencore dhe është ngjitur në vendin e 14-të në renditjen e aftësive inovative të 131 ekonomive botërore. Sipas të dhënave të fundit, treguesi i inovacionit i Kinës vjet arriti në 228.3, duke u rritur me 7.8 % në krahasim me vitin 2018, ndërsa studimi e zhvillimi zënë 2.23% të PBB-së, duke kaluar nivelin mesatar të 15 vendeve anëtare të BE-së në vitin 2018. Sidomos zbatimi i shpejtë në praktikë i teknologjisë 5G, i inteligjencës artificiale, i zinxhirit të blloqeve dhe i energjisë së re, ka arritur rezultate të dukshme në udhëheqjen e zhvillimit me cilësi të lartë të ekonomisë kineze.
CMG-ja vë në dukje se pavarësia e Kinës në fushën tekniko-shkencore nuk do të zhvillohet nëpërmjet inovacionit me dyer të mbyllura. Inovacioni tekniko-shkencor i Kinës është i pandashëm nga bota dhe përparimi shkencor dhe teknologjik i botës ka gjithashtu nevojë për Kinën. Duke hedhur sytë në të kaluarën, shikon se zhvillimi shkencor dhe teknologjik i Kinës nuk është bërë vetëm për veten, por qëllimi ka qenë shtimi i mirëqenies së të gjithë njerëzimit. P. sh., një kontribut i rëndësishëm i sistemit të navigacionit satelitor të Kinës “Beidou” është ndërkombëtarizimi, që u ka mundësuar vendeve të ASEAN-it, Pakistanit etj., të ndajnë teknologjinë, prodhimet dhe zbatimet e sistemit “ Beidou”. Kina planifikon ta përfundojë ndërtimin e stacionit të vet hapësiror rreth vitit 2022 dhe ka ftuar vendet e ndryshme ta përdorin atë për të kryer eksperimente. Martin Barstow, ish-presidenti i Shoqërisë Astronomike Mbretërore, komentoi se një gjë e tillë nuk ka asnjë paralele në histori dhe do t’u ofrojë një rast të mirë shumë vendeve që nuk kanë mundësi të hyjnë në hapësirë. Përveç kësaj, udhëheqësi më i lartë kinez e ka bërë të qartë se Kina është e gatshme të ndajë me vendet e tjera arritjet më të fundit shkencore, si teknologjia 5G, dhe ka premtuar se vaksina e koronavirusit të ri do të përdoret si një produkt publik botëror kur të prodhohet dhe vihet në përdorim.
CMG-ja shprehet në komentin e saj se të gjitha këto janë kontributi real i Kinës përballë sfidave globale dhe për nxitjen e ndërtimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Një Kinë më inovative do t'u ofrojë një mjedis më të mirë krijuesve botërorë të risive dhe do të ofrojë një energji më të madhe për zhvillimin e botës dhe për përparimet tekniko-shkencore të njerëzimit. (Çang Çuo/Artan)