Autoritetet kineze kanë vendosur një qëllim për të kontrolluar mbipeshën te fëmijët dhe adoleshentët. Plani i përbashkët i gjashtë departamenteve, përfshirë Komisionin Kombëtar të Shëndetit dhe Ministrinë e Arsimit, për të parandaluar dhe kontrolluar obezitetin te fëmijët dhe adoleshentët, specifikon përgjegjësitë e familjeve, shkollave, institucioneve mjekësore dhe organeve qeveritare në arritjen e qëllimit, bën të ditur “Xinhua”.

Anëtarët e familjes duhet t'i ndihmojnë fëmijët të mbajnë një dietë të shëndetshme, të nxisin një zakon të ushtrimeve të rregullta dhe të monitorojnë rritjen e peshës së tyre.

Autoritetet u kërkojnë shkollave të sigurojnë ushqim të shëndetshëm dhe të garantojnë kohën për aktivitete fizike, duke vënë në dukje se kopshtet duhet të organizojnë jo më pak se dy orë aktivitete në natyrë, nëse moti e lejon një gjë të tillë dhe shkollat duhet të kenë të paktën një orë ushtrime intensive në ditë dhe më shumë se tri orë aktivitete me intensitet të lartë në javë.

Në plan u bëhet thirrje institucioneve mjekësore të forcojnë menaxhimin e peshës dhe masat e ndërhyrjes së hershme kundër mbipeshës së fëmijëve.