Pekini ka nisur një platformë gjurmimi në internet për të forcuar mbikëqyrjen e ushqimeve të ngrira të importuara gjatë pandemisë Covid 19, bënë të ditur autoritetet lokale. Prodhuesve dhe tregtarëve të mishit të ngrirë të importuar dhe produkteve ujore u kërkohet të regjistrohen në platformë, sipas një qarkoreje të lëshuar bashkërisht nga administrata komunale për rregullimin e tregut dhe byroja komunale e tregtisë, bën të ditur “Xinhua”.

Këto kompani duhet që nga 1 nëntori të hedhin në platformë të dhëna në burime, qarkullime dhe të dhëna të tjera gjurmimi për mishin e ngrirë të importuar dhe produktet ujore. Produktet duhet të etiketohen me kodet përkatëse të gjurmimit të krijuara nga platforma.

Klientët mund të përdorin mini-programet “WeChat” ose “Alipay” në telefonat e tyre, për të skanuar kodet gjurmuese në paketat e produkteve ose ngrirësit në tregje, duke marrë informacionin e sigurisë së cilësisë dhe gjurmimin e të dhënave për mishin e ngrirë të importuar dhe produktet ujore që do të blejnë. Departamentet përkatëse qeveritare në Pekin do të shtojnë përpjekjet e mbikëqyrjes dhe inspektimit dhe do të zgjerojnë mbulimin e produkteve në platformën e gjurmimit.