Nisi në Kinë programi eksperimental i vaksinimit emergjent për kategori punonjësish dhe grupet me rrezik të lartë. Lajmi u bë i ditur në një konferencë për shtyp nga Zheng Zhongwei, zyrtar i Komisionit Kombëtar të Shëndetit.

Kina - shpjegoi Zheng - është ende nën presion për kthimin e mundshëm të rasteve Covid-19 në vend dhe disa kategori punonjësish, si mjekë, oficerë doganash dhe personeli i shërbimit publik janë të ekspozuar ndaj mjediseve të punës me rrezik të lartë. Prandaj është e nevojshme të mbrohet jeta dhe shëndeti i tyre përmes vaksinës që ka kaluar eksperimente mbi kafshë dhe fazës së parë dhe të dytë të provave klinike, dhe për këtë arsye është e sigurt dhe efikase, shkruan “Xinhua”.

Sipas Zheng, vaksinimi emergjent u organizua dhe u krye në bazë të pëlqimit të informuar dhe vullnetar. Personat që morën pjesë u zgjodhën me kujdes dhe u ndoqën për efekte anësore, që nuk janë raportuar deri më tani. Për më tepër, nuk u raportua asnjë rast pozitiv pas kthimit të tyre në punë në disa zona me rrezik të lartë.

Zheng shtoi se fillimi i programit të vaksinimit emergjent është vlerësuar në mënyrë rigoroze dhe plotëson standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).