Presidenti i Kinës Xi Jinping inkurajoi të hënën popullin të mësojë nga fryma revolucionare e Luftës së Rezistencës kundër Agresionit të ShBA-së dhe të Ndihmës ndaj Koresë (1950-1953), gjatë pjesëmarrjes në një ekspozitë për 70-vjetorin e kësaj lufte, të hapur në Muzeun Ushtarak të Revolucionit të Popullit Kinez në Pekin.

Xi vlerësoi sakrificën e madhe të Ushtrisë së Vullnetarëve të Popullit Kinez, që ia kushtuan jetën e tyre fitores së luftës dhe dhanë kontribut të shquar për paqen botërore dhe përparimin e njerëzimit.

Duke e vlerësuar fitoren e luftës si fitore të drejtësisë, paqes dhe popullit, Xi tha se shpirti i madh revolucionar është një trashëgimi e çmuar, që inkurajon popullin dhe kombin kinez të kapërcejnë të gjitha vështirësitë e të mundin të gjithë armiqtë.

Ekspozita me sipërfaqe mbi 3300 metra katrorë, përmban 540 fotografi, 15 vepra arti dhe mbi 1900 sende, përfshirë harta, dokumente, flamuj, stema dhe armë, që u përdorën gjatë luftës. 824 ndër to janë relikte të çmuara kulturore, që shfaqen për publikun për herë të parë. (Wang Lei/Artan)