Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Kinës konfirmoi të shtunën zbulimin dhe izolimin e koronavirusit të ri të gjallë, në ambalazhin e jashtëm të merlucit të ngrirë të importuar në qytetin lindor bregdetar kinez Qingdao.

Zbulimi i bërë gjatë një hetimi për të gjurmuar burimin e infeksioneve të fundit të raportuara në këtë qytet, ka provuar se kontakti me paketat e kontaminuara nga koronavirus i gjallë mund të çojnë në infektim, njoftoi Qendra në uebsajtin e saj.

Sipas saj, kjo është hera e parë në botë që koronavirusi i ri i gjallë izolohet nga ambalazhi i jashtëm i merlucit të ngrirë.

Qendra tha se rreziku i qarkullimit të ushqimit të zinxhirit të ftohtë të kontaminuar nga koronavirus i ri në tregun kinez është shumë i ulët, duke përmendur rezultatet e fundit të testimit të acidit nukleik për mostrat e marra nga ky biznes.

2.98 milionë mostra u testuan në 24 rajone në nivel province në mbarë Kinën deri më 15 shtator, duke përfshirë 670 000 të marra nga ushqimet e zinxhirit të ftohtë apo ambalazhet ushqimore, 1.24 milion nga stafi i punonjësve dhe 1.07 milion nga mjedisi.

Vetëm 22 mostra nga ushqimi i zinxhirit të ftohtë ose ambalazhet ushqimore u testuan pozitive për koronavirusin e ri.(Çang Çuo/Artan)