Rastet me COVID-19 në qytetin port të Kinës lindore Qingdao e kanë burimin nga dy punëtorë porti që qëndruan në të njëjtin spital, deklaroi të premten Komisioni vendor i Shëndetësisë.

Pasi u infektuan me virus ata u karantinuan në spital në shtator.

Sipas autoriteteve, pacientët bënë skaner në të njëjtën dhomë, por ajo nuk u dezinfektua si duhet përpara ekzaminimit të pacientëve të tjerë ditën e nesërme.

Autoritetet thanë se sekuencat e gjenomit të virusit të rasteve të fundit dhe të dy pacientëve kanë treguar një nivel të lartë ngjashmërie.

Qingdao raportoi tre raste asimptomatike më 11 tetor dhe më pas u gjetën 13 raste të konfirmuara, të gjitha kishin lidhje me një nga spitalet e qytetit.

Një fushatë pesëditore për testimin ndaj COVID-19 nisi të hënën (12 tetor) dhe sapo ka përfunduar me testimin e të gjithë 11 milionë banorëve në Qingdao.

Deri në orën 8 të mëngjesit të së premtes u testuan mbi 10.16 milionë nga mostrat e mbledhura dhe rezultatet nuk treguan raste të reja pozitive, rezultatet e mostrave të tjera do të dalin deri në orën 6 të pasdite.

Pacientët me emrat Chen dhe Dong, ishin punëtorë të Kompanisë Portuale Dagang në Qingdao. Ata u transferuan në spital për vëzhgim mjekësor pas rezultimit pozitiv me COVID-19 më 24 shtator. Prej kësaj date ata kanë qenë asimptomatikë.

Një prej punëtorëve, 40-vjeçari Dong, pati simptoma pas 20 ditësh më 14 tetor. Ata kishin shkarkuar produktet e importuara të ngrira më 19 shtator. (Albana)