Kina vazhdon të jetë ekonomia e vetme në botë që tregon rritje pozitive në vitin 2020 pasi PBB-ja e saj parashikohet të zgjerohet 1.9 për qind këtë vit, sipas parashikimit të fundit ekonomik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në Shangai të Kinës

Në Shangai të Kinës

Falë një rimëkëmbje më të shpejtë nga sa pritej, rritja e Kinës do të përshpejtohet në 8.2 për qind vitin e ardhshëm, tha FMN-ja në Parashikimin mbi Ekonominë Botërore.

Kryeekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath, tha se Kina kryeson shifrat botërore dhe se pa Kinën "rritja kumulative për 2020-n dhe 2021-n është negative".

Në fund të shtatorit, Banka Botërore vlerësoi se ekonomia e Kinës pritet të rritet me 2 për qind në vitin 2020, nga parashikimi prej 1 për qind që kishte dhënë në qershor.

FMN-ja parashikoi një tkurrje globale në vitin 2020 prej 4.4 për qind, një përmirësim në krahasim me parashikimin 5.2 për qind në qershor, kur mbyllja e bizneseve arriti kulmin. Pavarësisht rishikimit të parashikimit, kjo mbetet kriza më e rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh i viteve ‘30.

Shumë ekonomi kanë filluar të shërohen më shpejt sesa parashikohej pas rihapjes, por me vazhdimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, ngritja e ekonomisë globale në nivelet parapandemike ka shumë sfida, sipas parashikimit.

FMN-ja përditësoi vlerësimin e saj për ekonomitë e përparuara për vitin 2020 në një tkurrje prej 5.8 për qind, e ndjekur nga një rikthim i rritjes në 3.9 për qind në vitin 2021.

Ekonomia e ShBA-së pritet të tkurret 4.3 për qind këtë vit dhe ekonomia e Britanisë së Madhe do të tkurret 9.8 për qind. Ndërsa, ekonomia japoneze parashikohet të bjerë 5.3 për qind.

Për tregjet dhe vendet në zhvillim (me përjashtim të Kinës), FMN-ja ka parashikuar një tkurrje prej 5.7 për qind në vitin 2020 dhe më pas një rikuperim në 5 për qind në vitin 2021.

Brazili dhe Rusia parashikohet të tkurren përkatësisht 5.8% dhe 4.1%, ndërsa ekonomia e Indisë mund të tkurret 10.3%.

"Këto janë kohë të vështira, megjithatë ka disa arsye për të pasur shpresë," tha Gita Gopinath, këshilltare ekonomike e FMN-së në raportin e saj duke iu referuar përparimit të provave klinike të vaksinave.

Krahasuar me parashikimin e mëparshëm të FMN-së në qershor, rritja e PBB-së në tremujorin e dytë në ekonomitë e mëdha të përparuara ishte pak më e mirë dhe kthimi i Kinës në rritje ishte më i fortë nga sa pritej, thuhet në raport, duke theksuar se ka shenja të një rikuperimi më të shpejtë në tremujorin e tretë.

"Historia është më pak e tmerrshme nga sa e menduam tre muaj më parë, por sidoqoftë mbetet e tmerrshme," tha drejtoresha menaxhuese e FMN-së Kristalina Georgieva gjatë një diskutimi paneli në internet.

Georgieva tha që qeveritë duhet të përqendrohen te kujdesi shëndetësor ndaj koronavirusit dhe nuk duhet të lehtësojnë masat para kohe.


Për vitin e ardhshëm, FMN-ja tha se rritja globale pritet të ngadalësohet në rreth 3.5 për qind në periudhën afatmesme, duke nënkuptuar që rritja deri në vitin 2025 do të jetë më e ulët se parashikimi. (Albana)