Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë për kremtimin e 40-vjetorit të themelimit të Zonës së Posaçme Ekonomike të Shenzhen-it të mërkurën, presidenti i Kinës Xi Jinping theksoi se praktika 40-vjeçare e ndërtimit të zonave të posaçme ekonomike është e pandashme nga pjesëmarrja e të gjitha vendeve të botës, dhe gjithashtu ka krijuar një hapësirë të gjerë për zhvillimin dhe ndarjen e përbashkët të përfitimeve nga zhvillimi për të gjitha vendet. Kina mirëpret të gjitha vendet e botës të marrin pjesë më shumë në reformën dhe hapjen e zonave të posaçme ekonomike kineze, duke ndërtuar një model të ri të konsultimeve të ndërsjella, ndërtimit të përbashkët, ndarjes dhe përfitimeve për të gjithë.

Qyteti Shenzhen është një ndër zonat e para të posaçme ekonomike në Kinë. Për shndërrimin e tij nga një qytezë kufitare në një metropol me ndikim të madh ndërkombëtar, u deshën vetëm 40 vjet. Presidenti kinez Xi Jinping tha se Shenzhen-i i ka dëshmuar botës arritjet e Reformës dhe Hapjes së Kinës, dhe perspektivat e mira të socializmit me karakteristika kineze.

Sipas të dhënave, gjatë këtyre 40 vjetëve, rritja mesatare vjetore e vëllimit të përgjithshëm të prodhimit të brendshëm bruto në Shenzhen arriti në 20.7 %. Në vitin 2019, PBB-ja e Shenzhen-it arriti në 2.7 trilionë juanë, duke u renditur në vendin e 5-të ndër qytetet aziatike. Niveli i jetesës së banorëve të tij është përmirësuar dukshëm dhe të ardhurat e disponueshme për frymë të tyre kanë arritur në 62 500 juanë, duke udhëhequr realizimin e objektivit të ndërtimit të një shoqërie të gjithanshme të begatë.

Si një nga zonat e posaçme ekonomike më të hershme, Shenzhen-i zhvilloi së pari reformën e sistemit ekonomik të orientuar prej tregut, duke shpallur mbi një mijë masa reforme. Pas zhvillimit 40-vjeçar, Shenzhen-i ka kryer transformimin historik nga import-eksporti te hapja e gjithanshme me nivel të lartë.(Burim/Artan)