Kina realizoi një rritje të tregtisë së jashtme prej 0.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në 3 tremujorët e parë të vitit 2020, ku eksportet regjistruan një rritje prej 1.8%, ndërsa importet një rënie prej 0.6%, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Administrata e Përgjithshme e Doganave (APD).

Vëllimi i mallrave i tregtisë së jashtme të Kinës arriti 23.12 trilionë juanë gjatë kësaj periudhe. Eksportet u rritën në 12.71 trilionë juanë, ndërsa importet ranë në 10.41 trilionë juanë, sipas APD-së.

Importet dhe eksportet në tremujorin e 3-të u rritën 7.5% në 8.88 trilionë juanë, falë mëkëmbjes nga tremujori në tremujor të tregtisë së jashtme dhe rritjes kumulative, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i APD-së, Li Kuiwen.

"Eksportet dhe importet e Kinës kanë tejkaluar vazhdimisht parashikimet e tregut," tha për CGTN-in kryeekonomistja e Bankës Hang Seng në Kinë, Wang Dan.

Wang tha se rritja e importeve në shtator, kryesisht në lëndët e parë dhe inputet e tjera industriale, shënuan një vrull të fortë në prodhimin e brendshëm industrial.

"Performanca e përgjithshme e tregtisë tregon se strategjia e qarkullimit të dyfishtë të Kinës i ka rezistuar testimit," shtoi ajo.

Tregtia e jashtme me ASEAN-in, partner më i madh tregtar i Kinës, arriti në 3.38 trilionë juanë, me një rritje prej 7.7%, duke zënë 14.6% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme. Ajo ndiqet nga tregtia me BE-në, ShBA-në dhe Japoninë, të cilat u rritën përkatësisht 2.9%, 2% dhe 1.4%.

"Teprica tregtare me ShBA-në u ul gjithashtu, për shkak të blerjes aktive nga Kina të produkteve amerikane bujqësore dhe të energjisë. Kjo tregon se Kina ka vullnet të plotë për të përmbushur zotimet e saj në marrëveshjen e tregtisë të fazës së parë," tha Wang, duke shtuar se të gjitha kërkesat nga ShBA-ja, Evropa dhe ASEAN-i u rikuperuan, jo vetëm në pajisjet mjekësore, por edhe në makineri elektronike dhe elektrike.

Rritja e eksportit të produkteve elektro-mekanike hyri në terren pozitiv dhe eksportet e furnizimeve për të luftuar COVID-19 u rritën shpejt. Eksportet e barnave dhe produkteve të tjera farmaceutike u rritën 21.8%, ndërsa ato të pajisjeve mjekësore 48.2%.

"Kjo është shkaktuar pjesërisht nga skema e lejes në vendet perëndimore që përkrahën të ardhurat dhe shpenzimet e punonjësve," tha Wang .

"Parashikojmë që kërkesa e jashtme do të qëndrojë e fortë në tremujorin e 4-t me rritjen e sezonit të festës."

Sektori privat po luan një rol më të dukshëm në stabilizimin e tregtisë së jashtme. Importet dhe eksportet në këtë sektor u rritën për 10.2% në 10.66 trilionë juanë në 3 tremujorët e parë, duke zënë 46.1% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme ose 4 pikë përqindjeje më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kontributi i ndërmarrjeve me investime të huaja në tregtinë e jashtme ishte 8.91 trilionë juanë, që zë afro 38.5% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme në vend. Ndërmarrjet shtetërore realizuan 3.46 trilionë juanë nga import-eksportet, duke zënë 15% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme.

Importet e mallrave me shumicë si mineral hekuri, naftë bruto, qymyrgur, gaz natyror dhe produktet bujqësore kryesore si fasule soje dhe mish u rritën në përgjithësi. Importet e mineralit hekuri u rritën 10.8%, nafta bruto 12.7%, fasulet e sojës 15.5%, ndërsa mishi i derrit pati një rritje të jashtëzakonshme prej 132.2%.(Xu Guang)