Turistët që vizituan qytetin antik Qingzhou në provincën Shandong të Kinës lindore, 8 tetor 2020

Turistët që vizituan qytetin antik Qingzhou në provincën Shandong të Kinës lindore, 8 tetor 2020

Ekonomia kineze është e vetmja ekonomi kryesore në botë që po realizon rritje sivjet. Reagimi i sektorit kinez të shërbimeve ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare pasi mbi 630 milionë udhëtime u regjistruan brenda vendit gjatë festës së “Javës së Artë” që përfundoi të enjten e kaluar, duke gjeneruar 466.6 miliardë juanë (69.5 miliardë dollarë) të ardhura.

“Financial Times” e cilësoi festën një "barometër të rëndësishëm për shpenzimet e konsumatorit" pasi bumi i udhëtimeve të brendshme përmirësoi rimëkëmbjen ekonomike të Kinës. Shitjet në dyqanet pa taksa në Hainan të Kinës arritën mbi 1 miliard juanë gjatë festës, një rritje afro 150 për qind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Në raportin e shtatorit, Banka Botërore parashikoi që PBB-ja e Kinës do të rritet 2 për qind këtë vit, ndërsa pjesa tjetër e Azisë Lindore dhe rajonit të Paqësorit do të regjistrojnë një tkurrje 3.5 për qind.

“CNN” llogariti që pjesa e Kinës në PBB-në botërore do të jetë 17.5 për qind në vitin 2020, një rritje prej 1.1 pikë përqindjeje. Sipas CNN-it, Kina ka demonstruar një "aftësi për të kapur prirjen botërore" ndërkohë që shumë vende janë në recesion.

Sektori i shërbimeve të Kinës po rritet, pasi në të kaluarën renditej pas prodhuesve të mëdhenj për shkak të bllokimeve të shkaktuara nga epidemia. Sektori përbën rreth 60 për qind të ekonomisë dhe gjysmën e vendeve të punës në zonat urbane.

Treguesi i Menaxherëve të Blerjes "Caixin" për sektorin e shërbimeve u rrit më tej në 54.8, leximi më i lartë që nga qershori.

"Rimëkëmbja pasepidemike e sektorit të shërbimeve tregoi shenja përshpejtimi," komentoi Wang Zhe, ekonomist i lartë i “Caixin Insight Group”.

“Reuters” vuri në dukje se treguesit e fundit ekonomikë të Kinës, duke filluar nga tregtia te çmimet e prodhimit, tregojnë një rritje të mëtejshme në sektorin industrial, i cili nga ana tjetër nxit një kthim më të fortë të kërkesës.

PMI-ja zyrtare e Kinës gjithashtu tregoi se rritja në sektorin e shërbimeve të Kinës u përshpejtua në shtator.

Të dhënat zyrtare përqendrohen në korporatat e mëdha dhe ndërmarrjet shtetërore, ndërsa “Caixin/Markit” vlerëson kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. (Albana)