Ekspertët nga firmat ndërkombëtare të kërkimit dhe këshillimit thonë që, pas kontrollit të mirë të epidemisë së COVID-19, konsumatorët kinezë po bëhen një fuqi nxitëse për rritjen e GDP-së së vendit.

Sipas një dokumenti nga “UBS Global Wealth Management”, konsumi do të jetë kontribuuesi kryesor për rritjen e GDP-së kineze në tremujorin e 4-t të këtij viti, duke i kaluar prodhimin dhe investimet.

Kryezyrtari i investimeve i kësaj firme, Mark Haefele, tha të premten që konsumi në tetë ditët e para të tetorit është një bazë e mirë për tremujorin e fundit të 2020-s.

Të dhënat fillestare kanë treguar forcën dhe qëndrueshmërinë e konsumit në Kinë, shtoi Haefele, duke përmendur të dhënat mbi të ardhurat nga biletat e kinemave, blerjet pa taksa në provincën Hainan dhe të ardhurat nga sektori turistik.

Sipas UBS-së, gjatë “Javës së artë” të pushimeve në Kinë, sektorët e shitjes me pakicë dhe të shërbimeve të ofrimit të ushqimit kanë shënuar vlerën 1.6 trilionë juanë, 5% më shumë se një vit më parë, ndërsa të ardhurat nga turizmi arritën 460 miliardë juanë në mbarë vendin.

Sipas Njësisë për Kërkime Globale pranë Bankës Amerikane, GDP-ja e Kinës pritet të rritet me 5.4 % në tremujorin e 3-të, nga 3.2% në tremujorin e 2-të.

Sektori i shërbimeve vazhdoi të normalizohet në tremujorin e 3-të dhe prodhimi industrial e sektori i ndërtimit u stabilizuan më tej.

Sipas një raporti nga kompania “MRB Partners”, rritja ekonomike e Kinës do të mbështetet nga sektori i fuqishëm i shërbimeve, por hovi i përgjithshëm i ekonomisë parashikohet të shënojë një rënie të vogël.

Partneri dhe strategjisti i “MRB Partners”, Mehran Nakhjavani, thotë që sektori i shërbimeve ka rritje të dukshme dhe rritja e eksporteve është modeste, për shkak të kufizimit në përgjithësi të politikave stimuluese.