Sipas rrjetit ABC, deri më 7 tetor, numri i të infektuarve nga COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë është rritur në 34. Ndërkohë, edhe një zyrtar i lartë i Rojës Bregdetare të ShBA-së është konfirmuar si i infektuar dhe shumë gjeneralë, duke përfshirë edhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm Mark Milley, janë në karantinë në shtëpitë e tyre.

Në një koment të saj, CMG-ja vëren se kjo nuk është një ngjarje e rastësishme, por e krijuar nga vetë politikanët amerikanë, që i vendosin politikën mbi shkencën dhe interesat vetjake mbi jetën e qytetarëve. Kjo ka provuar edhe një herë që politikat e tyre antiepidemike “janë krejtësisht të dështuara”.

Më 8 tetor, revista mjekësore ndërkombëtare “The New England Journal of Medicine” publikoi një artikull, me titullin “Vdekje në vakumin e lidershipit”, ku vihet në dukje që kjo krizë epidemike është një provë për aftësitë udhëheqëse, por ShBA-ja nuk e kaloi këtë provë dhe politikanët amerikanë e kanë shndërruar këtë krizë në tragjedi.

Në vitin e zgjedhjeve presidenciale, politikanët amerikanë i kushtojnë vëmendje vetëm sigurimit të sa më shumë votave dhe jo kontrollit të epidemisë. Prandaj, ata përpiqen gjithmonë ta zvogëlojnë rrezikun e epidemisë, të mbulojnë të vërtetën, të promovojnë lajme të rreme e të fabrikojnë thashetheme, duke përbaltur OBSh-në e Kinën, madje edhe vetë aleatët e tyre.

Revista amerikane “The Atlantic” publikoi një artikull në fillim të tetorit, ku në bazë të fakteve të shumta, ka zbuluar afro 60 gënjeshtra nga liderët amerikanë mbi testimin për virusin, studimin e vaksinave dhe dënimin e Kinës. Në këtë artikull, bëhet në mënyrë të hapur akuza që liderët amerikanë janë burimi më i madh i lajmeve të rreme.

E pabesueshmja është që, edhe pas infektimit nga COVID-19, lideri amerikan ende publikoi mesazhe në mediat sociale, duke nënkuptuar që “COVID-19 nuk është aq vdekjeprurës sa gripi”, me qëllim që të zvogëlojë rrezikun e virusit. Si rezultat, ky mesazh është hequr nga “Facebook”-u, ndërsa “Twitter”-i e ka etiketuar me paralajmërimin për informacion shtrembërues dhe dëmtim potencial.

Për qytetarët amerikanë, koha më e errët ende nuk ka ardhur. Kryeeksperti i sëmundjeve ngjitëse, dr. Anthony Fauci, paralajmëron që, nëse nuk bëhet mirë mbrojtja në vjeshtë dhe dimër, numri i të vdekurve nga COVID-19 në ShBA do të arrijë në 400 mijë.

Ish-zyrtari i Insitutit Kombëtar të Shëndetësisë të ShBA-së, Rick Bright, ka paralajmëruar gjithashtu, duke thënë që “ShBA-ja po futet verbërisht në dimrin më të errët në historinë moderne”.