Populli kinez është më i kënaquri me qeverinë për menaxhimin e emergjencës koronavirus, sipas një sondazhi në 19 vende të prekura nga Covid-19, shkruan “Daily Mail”.

Media britanike thekson se hulumtuesit spanjollë dhe amerikanë kanë kryer një studim mbi 13.500 persona në 19 vende të prekura nga Covi-19, për të vlerësuar përgjigjen e opinionit publik mbi reagimet e ndryshme ndaj epidemisë.

Të intervistuarve iu kërkua të vlerësonin mënyrën se si qeveria e vendit të tyre menaxhoi krizën pandemike, përfshirë edhe funksionimin e masave gjatë bllokimit, efikasitetin e regjimit të testeve dhe mbrojtjen e njerëzve më të dobët gjatë valës së parë të shpërthimit të Covid-19.

Rezultatet tregojnë se populli kinez është më i kënaqur me mënyrën e reagimit të qeverisë, duke e renditur Kinën në vendin e parë me 80.5 nga 100 pikë. Koreja e Jugut renditet e dyta me 74.5 pikë, e ndjekur nga Afrika e Jugut (64.6), India (63.8) dhe Gjermania (61.32).

Studimi u krye nga hulumtues të Institutit të Shëndetit Global në Barcelonë dhe Universitetit të Nju Jorkut dhe rezultatet janë publikuar në revistën shkencore “PLOS ONE”.