Bashkësia Mediatike e "Një brez, një rrugë", e propozuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG), nisi në prillin e sivjetshëm "Nismën e veprimit të instituteve të studimit të politikave: Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimi i përbashkët i një Rruge Mëndafshi të shëndetshme". Në këtë veprimtari, ekspertët nga Bashkësia Mediatike e "Një brez, një rrugë" dhe studiues të tjerë të njohur ofruan sugjerimet e tyre, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të forcojë bashkëpunimin dhe të ofrojë mbështetje intelektuale përballë ndikimit të pandemisë.

Drejtori i CMG-së Shen Haixiong shkroi një artikull lidhur me këtë nismë veprimi, me titull "Forcimi i bashkëpunimit global kundër epidemisë, kontribut me mençuri dhe fuqi", ku u bën thirrje mediave ndërkombëtare të bashkëpunojnë, të raportojnë gjendjen e vërtetë e të orientojnë opinionin publik, për të kontribuuar së bashku në luftën globale kundër epidemisë.

Në këtë artikull, drejtori i CMG-së shkruan se përballë epidemisë, populli kinez dhe kombi kinez, duke treguar trimëri për të luftuar, kanë brumosur frymën e vënies së jetës në plan të parë, të unitetit e të respektimit të shkencës. Ekonomia kineze është e para në botë që realizoi rritje pas fillimit të epidemisë. Kina ka bashkëpunuar me vendet e tjera kundër vështirësive dhe i ka ofruar botës mençurinë dhe fuqinë e vet për të luftuar epideminë, gjë që tregon besimin e Kinës dhe përgjegjshmërinë e saj si një vend i madh.

Drejtori Shen Haixiong theksoi gjithashtu në artikullin e vet se, për të mbledhur meçurinë e të gjitha palëve e për t'u bashkuar kundër epidemisë, CMG-ja nisi në prill "Nismën e veprimit të instituteve të studimit të politikave: Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimi i përbashkët i një Rruge Mëndafshi të shëndetshme". Ekspertë nga vendet e Evropës, Azisë, Amerikës Jugore, si edhe nga ShBA-ja etj., kanë marrë pjesë në këtë nismë dhe kanë shkruar artikuj për të përhapur në publik opinonet shkencore e racionale dhe për të dhënë mesazhe përkrahjeje e bashkimi.

Tani gjendja ndërkombëtare po përballet me ndryshime shumë të mëdha, epidemia vijon të përhapet në mbarë botën dhe vendet e ndryshme ndodhen para sfidave të rënda, si lufta kundër epidemisë, stabilizimi i ekonomisë dhe mbrojtja e jetës së njerëzve. Përballë epidemisë, vendet e ndryshme duhet të forcojnë bashkëpunimin dhe kjo patjetër duhet të mbështetet edhe nga pjesëmarrja e instituteve të studimit të politikave. Shen Haixiong-u shprehu shpresën se kjo nismë do të jetë një pikënisje e mirë dhe në të ardhmen të gjithë pjesëmarrësit do të zbatojnë konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, do të këmbëngulin në multilateralizmin, do të ndjekin rrugën e bashkëpunimit, do të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin e sinqertë dhe do t'i kushtojnë forca e mençuri krijimit të një të ardhmeje më të bukur të botës.