Sektori kinez i prodhimit të automjeteve ka pasur një kthim te rritja e fitimeve në tetë muajt e parë të vitit, teksa tregu i automjeteve ka ruajtur gjendjen e rimëkëmbjes.

Fitimet e sektorit gjatë kësaj periudhe ishin 1.5 % më shumë se gjatë periudhës janar-gusht të vjetshme, duke arritur në 308.48 miliardë juanë (afro 45.4 miliardë dollarë amerikane) dhe duke i dhënë fund prirjes së rënies së fitimeve në krahasim me vitin e kaluar, njoftoi Shoqata e Prodhuesve të Automjeteve të Kinës, që citon të dhëna nga Zyra Kombëtare e Statistikave.

Sektori i prodhimit të makinave zë 8.3 % të fitimeve të përgjithshme ndër kompanitë industriale me të ardhura vjetore mbi 20 milionë juanë, 0.2 pikë përqindjeje më shumë se në periudhën nga janari në korrik.

Muajt e fundit tregu kinez i automjeteve ka pasur një mëkëmbje të shpejtë nga ndikimi i shpërthimit të COVID-19. Numri i automjeteve të shitura në Kinë në gusht u rrit 11.6 % në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke arritur rritjen e 5-të mujore pas rënies së madhe të shitjes së automjeteve gjatë periudhës së mbylljes.

Falë rimëkëmbjes më të shpejtë sesa pritej të tregut, në gusht shitja e automjeteve me energji të re në Kinë u rrit me 26% në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. Edhe shitja e makinave të udhëtarëve u shtua 8.9 % muajin e kaluar, duke shënuar rritjen më të shpejtë qysh nga maji i vitit 2018.

Tregu kinez i makinave, që pësoi goditje serioze nga epidemia e COVID-19, filloi rigjallërimin në prill, falë çlirimit të kërkesës dhe politikave përkrahëse. (Xu Guang)