Kina hodhi poshtë me vendosmëri "akuzat e pabaza" kundër saj dhe kundërshton "virusin politik", tha të martën përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun pas kritikave të presidentit të ShBA-së Donald Trump ndaj Kinës për menaxhimin e COVID-19 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Në mesazhin e tij të regjistruar paraprakisht, Trump tha: "Ne duhet të dënojmë kombin që e lëshoi këtë plagë në botë: Kinën."

Duke paraqitur mesazhin e para-regjistruar të presidentit kinez Xi Jinping, Zhang tha, "Pala kineze hedh poshtë me vendosmëri akuzën e pabazë kundër Kinës" dhe kundërshton "virusin politik".

Bota përballet me sfidën e rëndë të COVID-19. Ekzistojnë gjithashtu problemet e unilateralizmit, proteksionizmit dhe praktikave të ngacmimit, tha Zhang. "Bota është në një udhëkryq në këtë moment. Bota ka nevojë për më shumë solidaritet dhe bashkëpunim, por jo konfrontim. Neve na duhet të shtojmë besimin e ndërsjellë dhe jo të përhapim virusin politik."

Pavarësisht spekulimeve, Kina do të mbështesë me vendosmëri multilateralizmin dhe mbështet Kombet e Bashkuara të luajnë rol kryesor në çështjet ndërkombëtare, tha Zhang.

Ndërsa Trump u përpoq t’ja ngjiste fajin Kinës për të maskuar menaxhimin e dobët të pandemisë nga administrata e tij, Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një tjetër moment historik në numrin e vdekjeve nga koronavirusi.

Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, vdekjet në ShBA nga COVID-19 tejkaluan 200 mijë deri të martën ndërsa numri i rasteve arriti në mbi 6.8 milionë. Të dy numrat zënë afërsisht një të pestën e totalit botëror, por popullsia amerikane zë vetëm më pak 5 për qind të popullsisë së botës.

"Kjo nuk duhej të ndodhte. Dhjetëra mijëra vdekje mund të ishin parandaluar," shkroi në një postim në Twitter Tom Frieden, ish-drejtori i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Sipas një sondazhi të fundit nga Qendra Kërkimore “Pew”, reputacioni i Shteteve të Bashkuara midis aleatëve dhe partnerëve të saj kryesorë ka arritur nivele rekord, pjesërisht për shkak të trajtimit të dobët të pandemisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin gjithashtu shprehu kundërshtim të fortë ndaj akuzave të ShBA-së në një deklaratë të lëshuar të mërkurën.

"Unilateralizmi dhe ngacmimi kanë provuar edhe një herë se janë kërcënimet më serioze me të cilat përballet bota," theksoi Wang.

Duke folur për përpjekjet e Kinës kundër COVID-19, zëdhënësi përsëriti se Kina është një viktimë e virusit dhe një kontribuese në luftën globale kundër tij. "Përpjekjet anti-epidemike të Kinës janë të hapura dhe transparente, me një afat të qartë kohor dhe fakte dhe shifra," tha ai.

Wang theksoi se qëllimi i vërtetë i ShBA-së është përhapja e "virusit politik" dhe zhvendosja e përgjegjësisë. (Albana)