OKB-ja filloi me 51 nënshkrues në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe tani përfshin 193 vende. Ndërsa feston 75-vjetorin e themelimit, kjo organizatë dhe multilateralizmi që përfaqëson ajo, po përballen me sfida të papara, në kushtet e rritjes së unilateralizmit dhe proteksionizmit.

Sfidat janë shtuar nga COVID-19, që ka prekur më shumë se 31 milionë veta dhe ka marrë mbi 960 000 jetë në mbarë botën.

"Për çfarë lloj OKB-je ka nevojë bota dhe çfarë roli duhet të luajë ajo në epokën paspandemike?"

Këto ishin pyetjet që shtroi presidenti kinez Xi Jinping të hënën, kur foli nëpërmjet një videolidhjeje në mbledhjen e nivelit të lartë për të përkujtuar 75-vjetorin e OKB-së. Lidhur me këto çështje, ai paraqiti disa propozime.

OKB-ja duhet të mbështesë drejtësinë pasi vendet, pavarësisht nga madhësia e tyre, janë të barabarta dhe duhet të respektojnë njëri-tjetrin, tha Xi, duke theksuar se kjo është një kërkesë e kohës dhe parimi më i rëndësishëm në Kartën e OKB-së.

Organizata duhet të angazhohet për rritjen e përbashkët përmes konsultimeve dhe bashkëpunimit, theksoi ai, duke u bërë thirrje vendeve të mbarë botës që të ruajnë sigurinë e përbashkët dhe të ndajnë frytet e zhvillimit.

Xi kërkoi shtim të përfaqësimit dhe një zë më të fortë të vendeve në zhvillim në OKB, duke mbështetur qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së.

Ai tha se OKB-ja duhet të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të udhëheqë përpjekjet për të zgjidhur problemet e ndryshme të botës, të nxitë sigurinë, zhvillimin e të drejtat e njeriut në një mënyrë të ekuilibruar dhe t'i japë më shumë theks zhvillimit në agjendën e vet globale.

"Gjatë 75 vjetëve të OKB-së, bota ka parë një përparim të shpejtë të shoqërisë njerëzore, ndryshime të thella në situatat ndërkombëtare dhe zhvillim të shpejtë të multilateralizmit," tha presidenti kinez.

Ai ritheksoi angazhimin e Kinës për multilateralizmin dhe vendosmërinë për të mbrojtur sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelbin e vet.

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare përpiqet të gjejë zgjidhje për problemet me të cilat përballet njerëzimi, "multilateralizmi" ka qenë ndër fjalët kryesore gjatë sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që u hap javën e kaluar.

Tema e sesioneve të niveleve të larta të OKB-së këtë vit është "E ardhmja që duam, OKB-ja që na duhet: Ripohimi i angazhimit tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit", duke i bërë jehonë thirrjes së vazhdueshme të Xi-së për të ndërtuar një bashkësi me të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Ndërkohë, 48 ish-zyrtarë të OKB-së dhe të qeverive nga e gjithë bota të premten e kaluar publikuan një letër të hapur me titull "Koha për rinovim: Thirrje për një sistem të forcuar shumëpalësh" , duke shprehur shpresën e tyre se OKB-ja do të shndërrohet në një "sistem shumëpalësh më të fortë, më të përgjegjshëm e më përfshirës".

"Ka një nevojë urgjente që udhëheqësit globalë ta kuptojnë qartë se ne jemi në një pikë kthese dhe duhet të veprojmë me vendosmëri për të mbrojtur dhe rinovuar multilateralizmin", thanë ata, duke theksuar se rimëkëmbja nga pandemia e COVID-19 kërkon aftësi udhëheqëse kombëtare dhe bashkëpunim efektiv global.

Në fjalën e tij, Xi tha se OKB-ja ka kaluar njërën provë pas tjetrës në historinë e vet 75-vjeçare dhe ka mbetur plot gjallëri. Se si do ta kalojë organizata provën e tanishme, ka rëndësi për të ardhmen e mbi shtatë miliardë njerëzve në mbarë botën.(Vera)