Kina deklaroi planin e ndërtimit të tre zonave të reja të tregtisë së lirë në kryeqytetin e vendit Pekin e në provincat Hunan dhe Anhui, që ndodhen përkatësisht në veri, në qendër dhe në lindje të vendit.

Sipas planit, zona e tregtisë së lirë e Pekinit do të zërë një sipërfaqe prej 119.68 kilometrash katrorë, duke përfshirë tre qendra për risitë tekniko-shkencore, shërbimet ndërkombëtare të biznesit dhe industritë e nivelit të lartë.

Pekini do të zbatojë sistemin e trajtimit kombëtar para hyrjes dhe të listës negative për investimet e huaja, do të lehtësojë tregtinë dhe do të pakësojë kufizimet për hyrjen në tregtinë e shërbimeve në shkallën më të lartë, në rajonet që kanë kushtet për ta bërë një gjë të tillë.

Kryeqyteti i Kinës do të zgjerojë gjithashtu hapjen e sektorit financiar. Ai do të lejojë më shumë banka të huaja të ofrojnë shërbimet e kujdesit për fondet e investimeve në letrat me vlerë, duke inkurajuar njëkohësisht bankat kineze që plotësojnë kushtet, të nisin shërbimet financiare ndërkufitare.

Pekini gjithashtu po planifikon të ndërtojë një zonë pilot për tregtinë digjitale dhe shkëmbimet e të dhënave të mëdha, për të shpejtuar risitë teknologjike dhe hapjen e mëtejshme të sektorit të shërbimeve dhe të ekonomisë digjitale.

Qyteti do të përmirësojë procesin e miratimit të lejeve të punës e të qëndrimit për të huajt dhe do të sigurojë pagesën e shpenzimeve mjekësore në kohë reale për talentet e huaja.

Sipas planit, kryeqyteti kinez do të krijojë edhe qendra të tregtimit të pronësisë intelektuale dhe do të nxisë kompanitë shumëkombëshe të krijojnë qendra të studimit dhe të zhvillimit.

Pekini do të ndërtojë edhe një qendër aviacioni të nivelit botëror nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të përbashkët të dy aeroporteve të tij ndërkombëtare.

Po ashtu, është publikuar një plan për zgjerimin e zonës së tregtisë së lirë në provincën Zhejiang të Kinës Lindore.

(Zhang Yan)