Kina e nxiti të hënën Kanadanë që të lirojë menjëherë kryezyrtaren financiare të "Huawei"-t Meng Wanzhou e ta lejojë atë të kthehet e sigurt në Kinë.

Sipas mediave, rreth 100 ish-diplomatë kanadezë i kanë dërguar një letër kryeministrit të vendit Justin Trudeau, ku bëjnë thirrje që të shkëmbehet Meng-u për dy kanadezët e ndaluar Michael Kovrig dhe Michael Spavor. Ata thonë që kjo çështje dëmton jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe, por edhe aftësinë e Kanadasë në çështjet ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Wang Wenbin theksoi që qëndrimi i Kinës mbi çështjen e Meng Wanzhou-t është i qartë dhe i vendosur.

“Me pretekstin e ‘kërkesës nga ShBA-ja’, Kanadaja mori masa detyruese ndaj një shtetase kineze, çka ka shkelur rëndë të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme,” u shpreh Wang.

Natyra e çështjes së Meng Wanzhou-t është krejtësisht e ndryshme nga ajo e dy kanadezëve, shtoi Wang, duke theksuar se çështja e Meng-ut është një incident i rëndë politik, ndërsa Kovrig dhe Spavor dyshohen për kryerjen e aktiviteteve që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Kinës.

"Organet gjyqësore kineze i trajtojnë çështjet në mënyrë të pavarur dhe të drejtat e ligjshme të dy kanadezëve janë të garantuara," tha ai.

Wang vuri në dukje se pikërisht ajo që ka bërë Kanadaja në rastin e Meng-ut, ka shkaktuar vështirësitë e tanishme në marrëdhëniet dypalëshe.

"Ne e nxisim Kanadanë të respektojë pozicionin dhe shqetësimet serioze të Kinës, ta lirojë menjëherë Meng-un dhe të sigurojë kthimin e saj në Kinë, në mënyrë që të krijojë kushtet që marrëdhëniet dypalëshe të kthehen në rrugën e duhur,” tha Wang Wenbin.