Një gjykatëse federale ka bllokuar kërkesën e Departamentit amerikan të Tregtisë që "Apple" dhe "Google" të mos mundësojnë shkarkimin e aplikacionit kinez "WeChat" deri të dielën.

Sipas njoftimeve nga "Reuters", gjyqtarja në San Francisko Laurel Beeler tha në urdhin e saj që përdoruesit e "WeChat"-it që kanë paraqitur padinë, kanë treguar se ka pikëpyetje serioze lidhur me zbatimin e Amendamentit të Parë, si edhe që e ashtuquajtura "balancë e vështirësive" anon në favor të palës akuzuese.

Departamenti i Tregtisë i ShBA-së ende nuk ka bërë koment lidhur me vendimin.

Të dielën, "Tencent"-i, kompania që ka krijuar "WeChat"-in, thotë se do të vazhdojë bisedimet për një zgjidhje afatgjatë.

“Kompania ka zhvilluar dhe do të vazhdojë të zhvillojë bisedime me qeverinë amerikane dhe palë të tjera të interesuara në ShBA për të arritur një zgjidhje afatgjatë,” thuhet në deklaratën e "Tencent"-it.

Gjiganti kinez i teknologjisë gjithashtu bëri të ditur që po bën vlerësime të mëtejshme mbi ndikimet e ndalimit ndaj kompanisë.

Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi të premten e kaluar që po planifikon të ndalojë përfshirjen e "WeChat"-it në dyqanet e aplikacioneve të celularëve në ShBA dhe të kufizojë lidhjen e tij me shërbimet thelbësore të internetit në ShBA, për arsye të “sigurisë kombëtare”.

Kjo pason nënshkrimin nga presidenti amerikan Donald Trump të një urdhri ekzekutiv në gusht, që u jep bizneseve në ShBA 45 ditë kohë (deri më 20 shtator) të ndalojnë bashkëpunimin me kompaninë kineze.

“Si një aplikacion që u shërben përdoruesve në mbarë botën, 'WeChat'-i gjithmonë ka zbatuar ligjet vendore. Politikat dhe procedurat e tij lidhur me të dhënat përmbushin standardet më të rrepta të privatësisë në botë,” ka theksuar "Tencent"-i në një deklaratë të mëparshme.

"WeChat"-i është një aplikacion në celular që ndërthur shërbime të ngjashme me ato të "Facebook"-ut, "WhatsApp"-it e "Instagram"-it, si dhe "Venmo"-s. Ai është thelbësor për jetën e përditshme të shumë njerëzve në Kinë dhe mbulon mbi 1 miliard përdorues.

Sipas firmës së analizimit "Apptopia", në fillim të gushtit, "WeChat"-i ishte shumë i përhapur te studentët kinezë, të huajt që punojnë në ShBA dhe disa biznesmenë amerikanë që kanë lidhje me Kinën. Në ShBA numri i përdoruesve aktivë ditorë të tij është 19 milionë.