Presidenti i Kinës Xi Jinping tha të hënën se Kina dhe Zvicra kanë kultivuar së bashku një frymë bashkëpunimi të barazisë, novacionit dhe përfitimeve të ndërsjellta gjatë 70 viteve të fundit që nga vendosja e marrëdhënieve të tyre diplomatike.

Në mesazhin e tij të urimit, dërguar presidentes së Konfederatës së Zvicrës Simonetta Sommaruga me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Xi tha se të dy palët kanë dhënë gjithashtu një shembull të bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve të ndryshëm në sisteme sociale, në faza zhvillimi, dhe në madhësi.

Duke vënë në dukje se Zvicra ishte një nga vendet e para perëndimore që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, presidenti Xi tha që nga vendosja e marrëdhënieve të tyre diplomatike 70 vjet më parë, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë bërë një përparim të madh.

Në luftën kundër pandemisë së koronavirusit të llojit të ri, tha presidenti Xi, dy palët kanë ndihmuar njëra-tjetrën, duke thelluar miqësinë midis dy popujve, duke shtuar se ai i kushton një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Zvicër.

Kreu kinez shtoi se është i gatshëm të punojë me Sommaruga-n për të nxitur më tej partneritetin strategjik Kinë-Zvicër në fushën e risisë në dobi të dy vendeve dhe dy popujve, duke shtuar se dëshiron një miqësi të përjetshme midis Kinës dhe Zvicrës. (Albana)