Të mërkurën u mbyll në Pekin Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve i Kinës për vitin 2020. Lidhur me veprimtarinë e parë ndërkombëtare të biznesit të organizuar nga Kina pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, profesori i ekonomisë i Universitetit të Ferrarës në Itali Marco Rodolfo di Tommaso u shpreh në një intervistë për CMG-në se zhvillimi i suksesshëm i panairit u ka sjellë kompanive italiane mundësi biznesi.

Ai është i mendimit se panairi u organizua në një kohë të rëndësishme dhe do të nxisë rritjen e tregtisë së shërbimeve përkatëse.

"Mendoj se ishte një veprimtari mjaft domethënëse dhe e rëndësishme, veçanërisht në një kohë të tillë plot me pasiguri për tregun ndërkombëtar dhe ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës. Natyrisht që ai ka tërhequr vëmendje të madhe. Si italian, besoj se është një mundësi shumë e mirë për ndërmarrjet tona, sepse për shkak të ndikimeve të epidemisë, ndërmarrjet italiane ndodhen para një situatë të ndërlikuar. Prandaj pjesëmarrja në panair është shumë e rëndëshme për to", tha z. Tommaso.

Italia ka një sektor të zhvilluar të shërbimeve që përbëhet nga transporti, telekomunikacioni, turizmi, financat, sigurimet etj. Megjithëse që nga kriza financiare botërore e vitit 2008, tregtia italiane e shërbimeve ka pasur ulje për sa i përket pjesës që zë në tregjet europiane dhe të rajoneve të tjera, përqindja e këtij sektori në ekonominë kombëtare të Italisë është rritur gradualisht. Në vitin 2019, import-eksporti i tregtisë së shërbimeve zuri 12 % të PBB-së së Italisë, duke qenë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së vendit. Di Tommaso vuri në dukje se në panairin e kësaj here, tregu në fusha si mjekësia inteligjente, mësimdhënia në internet dhe industria kulturore ka shfaqur prirje të dukshme zgjerimi dhe shumë ndërmarrje pjesëmarrëse italiane e kanë vënë re këtë.

"Të gjitha kompanitë që kanë realizuar ristrukturimin e modeleve të funksionimit, duke u zhvendosur drejt prodhimit pa kontakt real dhe mallrave me vlerë të lartë të shtuar, patën rezultate të mira në panair. Një përshtatje e tillë është një gjë që sipërmarrësit italianë e kanë marrë paraysh dhe po bëjnë përpjekje lidhur me të", shpjegoi eksperti ekonomik.

Gjatë organizimit të Panairit të Tregtisë së Shërbimeve, Kina shpalli shumë masa të favorshme për të nxitur zhvillimin cilësor të tregtisë së shërbimeve, duke dërguar vazhdimisht sinjale për hapjen e mëtejshme. Di Tommaso vuri në dukje se është shqetësuese që tani në disa vende po forcohen zërat e proteksionizmit. Sipas tij, Kina, nëpërmjet krijimit të listës negative dhe uljes së pragut të hyrjes në tregun e vet të shërbimeve, po zgjeron importin e shërbimeve. "Kompanitë italiane duhet ta kapin këtë mundësi për të zgjeruar biznesin e tyre, duke bashkëpunuar me institucione, shkolla të larta dhe kompani kineze", u shpreh profesori i ekonomisë në Universitetin e Ferrarës Marco Rodolfo di Tommaso.